Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, është shprehur i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren, me ç’rast ka theksuar se çdo tentim për tjetërsim i votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.
“Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka shkruar Totaj në Facebook.
Ai ka thënë se i siguron qytetarët se PDK-ja di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, siç ka shkruar, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij.
“Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partitë, diku më shumë e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të tërësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbarvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, ka shkruar Totaj.
Nga rinumërimi i deritashëm Prizreni ka dalë komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët.
Përfituesi më i madh nga ky keqnumërim është kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi. Nga 14 mijë e 606 vota sa kishte para rinumërimit, atij i kanë mbetur 8 mijë e 596. Dallimi prej 6 e 010 votash nënkupton se më shumë se 40 për qind e votës së tij ishte rezultat i abuzimit gjatë numërimit.
Në Prizren, nga PDK-ja kanë përfituar edhe Nait Hasani me 3 mijë e 409 vota, Kujtim Gashi me 2 mijë e 360, Luljeta Veselaj-Gutaj me 2 mijë e 102 dhe Arianit Çollaku me 1 mijë e 684 vota të gjithë këta kandidatë nga kjo komunë. Nën një mijë vota kanë përfituar edhe Fadil Demaku e Enver Hoxhaj.
