Ambasada e Kosovës në Austri ka bërë të ditur se, sipas konfirmimeve të fundit, edhe viktima e tretë nga katër personat që humbën jetën në një aksident tragjik është shtetas i Kosovës.
Bëhet fjalë për qytetarin Istref Zekaj.
Ambasada njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim që të ofrojë mbështetjen e nevojshme dhe të koordinojë procedurat përkatëse.
Në këtë periudhë të vështirë, Ambasada ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke premtuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me rastin.
Në aksidentin e ndodhur pas orës 14:00 në Vjenë të martën humbën jetën katër persona, ndërsa një tjetër u lëndua rëndë, kur një strukturë betoni u shemb dhe rrëzoi skelet.
