Rada Trajkoviq, politikane nga Kosova dhe këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shpërthimi i mbrëmshëm i bombës në veri të Mitrovicës ishte një mesazh për serbët nga veriu i Kosovës se mund të kalojnë sikurse Oliver Ivanoviq, derisa ka thënë se ka zëra se kryekrimineli Milan Radojiçiq ndodhet rreth veriut dhe synon hakmarrjen.
“Ky është një mesazh, para së gjithash, për serbët nga veriu i Kosovës: “Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnik në një masë të mirë, mund të kaloni të njëjtën rrugë si Oliveri”, tha Trajkoviq.
Ajo rikujton se ekziston një dokument për përfshirjen e Milan Radojiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në vrasjen e Ivanoviqit, i cili ka ardhur nga qeveria amerikane.
“Ata janë në listën e zezë si të përfshirë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Njerëzit nuk futen në listën e zezë pa prova dhe materiale. Unë nuk e di sa ka kërkuar Serbia nga qeveria amerikane që t’i informojë për gjetjet e saj për vrasjen e Oliverit, por mendoj se nuk ka kërkuar asgjë. Edhe Veselinoviqi edhe Radojiçiq janë njerëz me besimin më të madh të biznesit nga Qeveria e Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq, sepse ata marrin projektet më fitimprurëse dhe janë bërë milionerë”, tha Trajkoviq për ‘N1’.
Tutje ajo ka theksuar se Milan Radojiçiq është nën hetim për rastin e Banjskës dhe se shteti serb duhet të jetë drejtpërdrejt përgjegjës për të.
“Ka zëra se ai ndodhet rreth veriut të Kosovës dhe se po përgatit hakmarrje për të rinjtë e vrarë. Në përgjithësi, ne shohim dhe presim që ambasadori amerikan Christopher Hill ta pyesë Vuçiqin se pse personat që janë në listën e zezë të SHBA-së janë bashkëpunëtorët e tij më të mëdhenj”, tha Trajkoviq.
Ajo mendon se forca e pushtetit politik të Vuçiqit në këtë moment është shumë e rrezikshme për shtetin serb dhe popullin serb.
“Pas Banjskës, ai nuk duhet të negociojë, sepse kapaciteti i tij negociues nuk është më i rëndësishëm. Ai duhet të përgjigjet për Banjskën, sepse provat tregojnë lidhjen e Radojiçiqit me autoritetet e sigurisë. Aq shumë armë nuk mund të gjenden ashtu”, nënvizoi Trajkoviq.
Ajo gjithashtu akuzoi presidentin e Serbisë se ka lejuar që shumë kuadro në shërbimet e sigurisë së Serbisë të emërohen nga Radojiçiq dhe Veselinoviq.