Trajneri i Drenicës para takimit ndaj Gjilanit: Përveç fitores, çdo rezultat tjetër do të ishte fatal për neve

<strong>Trajneri i Drenicës para takimit ndaj Gjilanit: Përveç fitores, çdo rezultat tjetër do të ishte fatal për neve</strong>

Drenica nuk e ka nisur mirë sezonin pranveror duke i pësuar dy humbje nga dy ndeshje, nga Llapi dhe Ballkani.

Pas këtyre dy humbjeve Drenica pozicionohet në vendin e nëntë me 20 pikë, vend i cili e dërgon një rang më poshtë, në Ligën e Parë.

Në xhiron e 21-të, Drenica rikthehet të luajë të mërkurën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj ndaj SC Gjilanit.

Trajneri i Drenicës,  Bekim Shotani në një prononcim për Gazetën Enigma ka thënë se ndaj Gjilanit kërkojnë fitore me çdo kusht për t’iu rikthyer normalitetit.

Pas këtyre dy takimeve dhe pas kthimit në stadiumin tonë “Bajram Aliu”  në Skenderaj, besoj që përveç fitores, çdo rezultat tjetër do të ishte fatal për neve duke e pasur parasysh qe tasht jemi në sezonin pranveror edhe ndeshjet po ikin, është ndeshja e tretë e sezonës pranverore dhe e kemi përballë një skuadër si Gjilani. Në këtë takim ne duhet t’i sulmojmë dhe ta kemi për objektiv vetëm fitoren dhe të kthehemi në normalitetin e asaj që jemi duke e kërkuar”, ka thënë ai për Gazetën Enigma.

Shotani thotë se paraqitja e mirë ndaj Ballkanit i jep shpresë për një rezultat pozitiv në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Arsyeja tjetër pozitive që na motivon përveç kthimit në fushën tonë përballë shikuesve tonë është edhe paraqitja e mirë që e kemi treguar përballë Ballkanit,  kemi treguar nuk jemi një ekip që të jemi atje poshtë në tabelë, prandaj krejt këta faktorë janë që neve na motivojnë edhe ne do të mundohemi që në fushë ta japin 100 % dhe të mundohemi ta marrim fitoren e parë në sezonin pranveror”, shprehet i bindur trajneri Shotani.

Sipas Shotanit, Gjilani është  ekip evropiane me lojtarë të jashtëzakonshëm, ai thotë se skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadanit ka bërë paraqitje të mira, por pavarësisht kësaj, Drenica është e motivuar.

Gjilani është ekip evropiane, ka individë të jashtëzakonshëm e ka edhe kontingjentin e grupit të  lojtarëve të jashtëzakonshëm edhe vet pozita në tabelë e tregon, pavarësisht atyre vështirësive që i ka pasur Gjilani. Në këto dy takimet e fundit nuk ka qenë keq me lojë, pavarësisht fatit të rezultateve edhe si rezultat i asaj jemi të motivuar shumë”, vlerëson ai.

Fati i keq për Drenicën në tri ndeshjet pranverore sipas Shotanit është që është përballur me skuadra si Llapi, Ballkani dhe tani do të luajë ndaj Gjilanit.

Është një orar shumë i vështirë për fatin e Drenicës, sepse lujti me Llapin, Ballkanin edhe tasht prapë e kemi me Gjilanin, por pavarësisht të gjithave ne do ta kërkojmë fitoren. Thash ka individë të jashtëzakonshëm si në mbrojtje, si në mesfushë dhe sulm Gjilani. Duke e pasur parasysh rëndësinë e ndeshjeve duke i njohur lojtarët edhe si grup edhe individualisht ne do t’i qasemi shumë seriozisht lojës dhe do të kemi kujdes në mbrojtje, por në të njëjtën kohë do të mundohemi ta sulmojmë kundërshtarin ta shënojmë golin dhe ta kërkojmë fitoren e parë në sezonin pranveror”, thotë ai.

Trajneri i Drenicës bën të ditur për Gazetën Enigma se në takimin ndaj Gjilanit, do t’i kthehen dy lojtarë të rëndësishme, kapiteni Shkelzen Lushtaku dhe mesfushori Besfort Dervishaj.

Ndeshjen kundër Ballkanit i kemi pasur disa mungesa, ka mungu kapiteni Shkelzen Lushtaku dhe disa mungesa në mesfushë, do të kthehet kapiteni dhe mesfushori defanziv Besfort Dervishaj, që janë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë dhe do ta kërkojmë fitoren e parë në  sezonin pranveror”, bën të ditur Bekim Shotani për Gazetën Enigma.

Kujtojmë që takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave ka qenë më 20 tetor 2022, ku fitoi Drenica me rezultat 0-2 në Gjilan.

Drenica – Gjilani do të luhet të mërkurën nga ora 13:00, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles