Klodian Duro, trajneri i ri i skuadrës së Gjilanit, ka thënë për faqen zyrtare të mërkurën në mbrëmje se bashkë me lojtarët, do të mundohen që të lënë gjurmë në Ligën e Konferencës.
Të enjten në orën 19:30, Gjilani do të luajë në udhëtim te Progres Niederkorni, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Duam të lëmë gjurmë në Europa Conference League. Gjatë gjithë kësaj kohe futbollistët janë stërvitur shumë mirë dhe kemi bërë gjithçka siç duhet për të qenë sa më të plotë dhe gati për ndeshjen”, ka thënë fillimisht Duro.
Ai ka shtuar se është i bindur se lojtarët do të japin gjithçka që kanë nga vetja, për paraqitje sa më të mirë.
“Jam shumë i bindur që futbollistët do të japin gjithçka dhe do të lënë shpirtin në fushë për klubin në radhë të parë, për tifozët dhe gjithë qytetin e Gjilanit. Jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam gjetur te Gjilani dhe do të dhurojmë gjithçka për t’u kualifikuar në raundin tjetër. Duhet të bëjmë një ndeshje të zgjuar nesër nga ana taktike për të hedhur një hap të sigurt dhe për ta bërë të mundur kualifikimin në ndeshjen e kthimit në Prishtinë më 20 korrik”, është shprehur Duro.
Gjilani në edicionin e kaluar të Superligës së Kosovës në futboll përfundoi në pozitën e tretë. Pas 36 ndeshjeve mblodhi 54 pikë. Ndërkohë, Progres Niederkorni është skuadër nga Luksemburgu. Në sezonin që shkoi ishte nënkampion. E mbylli kampanjën me 70 pikë, shtatë më pak se Hesperange kampion.