Kur duket se i gjithë procesi i balotazhit shkoi siç duhet në të gjithë komunat, në skenë doli Mitrovica e Jugut. Atje, u vërejt një “gabim teknik”, siç e cilësoi KQZ-ja, por që nuk e tregoi derisa filluan ankesat nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë numërimit e rinumërimit, në fletëvotime u vërejtën numra serikë të ndryshëm.
Pasi filluan të përhapeshin dyshime për “tren qeveritar” në stilin e “trenit bullgar”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpejtë doli me reagim.
KQZ e quajti këtë një “gabim teknik” nga ana e kompanisë sllovene që shtypi dengjet e fletëvotimeve, në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.
Madje, KQZ tha se një gabim i tillë është evidentuar edhe në fletëvotimet në Gjakovë.
Ajo që mbetet e paqartë, është se pse KQZ nuk njoftoi më herët për këtë gabim teknik, por vetëm pasi u vërejt një gjë e tillë në Mitrovicë.
“Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast”, tha të hënën në mbrëmje KQZ-ja.
Dhe ashtu ndodhi. Të martën në mesditë, KQZ publikoi letrën zyrtare nga kompania “Cetis”, ku “problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printërve me ngjyrë”.
“Fatkeqësisht, ky gabim nuk mund të zbulohet gjatë printimit sepse i gjithë procesi i kontrollit bazohet në monitorimin e numrit serik”, u tha në letrën e publikuar nga KQZ.
Prokuroria urdhëroi rifillimin e numërimit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve.
Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se dy policë do të jenë prezent në qendrën e numërimit, gjatë gjithë kohës së procesit.
PDK kërkon që të mbahet sërish balotazhi
Në një konferencë të sotme, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kërkoi që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, shkaku i këtyre dyshimeve.
Kjo parti po ashtu njoftoi se do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Anëtari i PDK-së në KQZ: Nuk do të certifikoj rezultatin zgjedhor
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, reagoi nga e gjitha kjo situatë, duke thënë se nëse organet e drejtësisë vërtetojnë se është manipuluar vullneti i qytetarëve të Mitrovicës, “unë, si anëtar i KQZ-së, nuk do të votoj dhe as nuk do të certifikoj rezultatin zgjedhor në këtë komunë”.
“Dyshimet për “trenin bullgar” në Mitrovicë janë alarm serioz për demokracinë dhe integritetin e procesit zgjedhor. Këto çështje nuk mund të trajtohen vetëm si raste penale, sepse problemi është shumë më i thellë, është politik, institucional dhe lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve në votë. Cënimi i vullnetit të qytetarëve nuk mund të përfundojë vetëm në rrafshin e një vepre penale. Kodimi i fletvotimit për çdo vendvotim ka pasur një qëllim të qartë dhe të drejtë: të ndalojë manipulimet, të prishë “shinat e trenit bullgar” dhe të mbrojë integritetin e votës”, deklaroi Gashi.
Reagimet nga LVV
Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje ishin të shpejtë për të reaguar, lidhur me dyshimet.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka fajësuar PDK-në, duke thënë se po tentohet ta marrin rezultatin në tavolinë.
“Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të. Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor”, tha Haxhiu.
“Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë. Por Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë”, shtoi ajo.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë “një meritë e madhe i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, u shpreh ai.
“Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin. Turp!”, përfundoi Murati.
Çka tani?
Pasi që PDK-ja të dorëzojë ankesën në PZAP, ky institucion pritet që brenda pak ditësh të kthejë një përgjigje, lidhur me atë nëse kërkon, rinumërim, rivotim apo asnjërën nga këto dhe thjesht certifikim.
Nëse PDK-ja nuk është e kënaqur nga vendimi i PZAP-së, si hap të fundit mund ta përdorë ankesën në Gjykatën Supreme.
Në Mitrovicë, në garën e balotazhit ishin Faton Peci nga LVV dhe Arian Tahiri nga PDK.
Sipas rezultatit, Faton Peci fitoi 50.19 përqind të votave, ndërsa Arian Tahiri 49.81 përqind. /GAZETA ENIGMA
