Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fushë Kosovë – Han i Elezit pritet të përfundojë në fund të këtij viti, konfirmojnë zyrtarë të Infrakos-it – kompanisë që operon me rrjetin hekurudhor të Kosovës.
Kjo linjë është në riparim e sipër qysh në vitin 2019 dhe, fillimisht, ka qenë e paraparë që punimet të përfundojnë në vitin 2021.
Linja ka vazhduar në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka qenë e vetmja që ka lidhur Kosovën me një vend të Ballkanit Perëndimor.
Qarkullimi i trenit në të është ndërprerë në mars të vitit 2020, duke i privuar qytetarët nga një mjet udhëtimi, që konsiderohet më i lirë.
Kjo, pastaj, ka shkaktuar probleme financiare edhe për Trainkos-in, kompaninë që ofron shërbime për transportin hekurudhor në Kosovë dhe mbledh të hyrat nga shitja e biletave.
“Nuk jemi të dëmtuar, por të sakatuar”, thotë Nol Dedaj, kryesues i bordit të Trainkos-it, për Radion Evropa e Lirë.
“Disa herë kam kërkuar nga autoritetet kompetente arsyen e mospërfundimit të punëve në infrastrukturën e hekurudhës, por nuk kam marrë përgjigje. Ne kërkojmë që transporti i udhëtarëve dhe mallrave të rifillojë. Kjo po na dëmton shumë në aspektin financiar”, thotë Dedaj.
Përpara ndërprerjes së qarkullimit të trenit Fushë Kosovë – Han i Elezit, Dedaj thotë se të ardhurat mesatare vjetore nga shitja e biletave kanë qenë rreth 100 mijë euro.
Kjo shumë, në vitin 2021, është zvogëluar në rreth 51 mijë euro, ndërsa gjatë këtij viti në 45 mijë euro, pasi në qarkullim kanë mbetur vetëm trenat Prishtinë – Pejë dhe Prishtinë – Fushë Kosovë.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës i mbështesin, po ashtu, pretendimet për zvogëlimin e numrit të udhëtarëve.
Nga mbi 120 mijë sa ka qenë numri i personave që kanë udhëtuar me tren në vitin 2018, ky numër është zvogëluar në rreth 60 mijë në vitin 2021, tregojnë të dhënat e ASK-së.
Shkaqet e vonesave
Zvarritjet e punimeve lidhen me një varg arsyesh, përfshirë pandeminë e koronavirusit, thonë nga Infrakos-i.
Uran Mulaj, ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë kompani, thotë se vonesa kanë shkaktuar edhe disa mjete të pashpërthyera eksplozive, që janë gjetur nën trupin hekurudhor e që besohet se datojnë nga luftërat botërore.
Pas sanimit të këtij problemi, ai konfirmon se rehabilitimi i segmentit Fushë Kosovë – Han i Elezit do të përfundojë në dhjetor.
REL ka kontaktuar edhe kompaninë italiane “Generale Construzioni Ferroviare” (GCF), e cila është zgjedhur nga Infrakos-i për kryerjen e punimeve në këtë segment, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
Punimet në këtë linjë, që kanë përfshirë edhe nënkontraktorë vendorë, kanë kapur vlerën e rreth 78 milionë eurove.
Mjetet janë siguruar kryesisht përmes kredive nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.
Kosova ka nisur rehabilitimin edhe të segmenteve të tjera hekurudhore.
Zyrtarë të Infrakos-it bëjnë të ditur se, në muajin tetor, kanë filluar punimet në segmentin Fushë Kosovë – Mitrovicë, të cilat pritet të përfundojnë në muajin janar të vitit 2024. Kjo linjë do të mund të lidhë Kosovën me Serbinë.
Zyrtarët, po ashtu, kanë thënë se rrjeti hekurudhor që lidhet me Shqipërinë është në fazën e fizibilitetit, apo vlerësimit të planit.
Hekurudhat e Kosovës kanë një gjatësi prej rreth 333 kilometrash dhe trenat e Kosovës dikur kanë qarkulluar edhe në linja ndërkombëtare.
Hekurudhat nuk janë mirëmbajtur siç duhet që nga fillimi i viteve ‘90, kur edhe kanë filluar luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë, dhe degradimi i tyre ka vazhduar pastaj vit pas viti. Shumë stacione trenash janë, po ashtu, në gjendje të rëndë.
Trenat e vjetër
Dedaj, nga Trainkos-i, thotë se edhe kur të riparohen hekurudhat, udhëtarët nuk do të kenë kushte më të mira të akomodimit në trena.
Kjo pasi, sipas tij, lokomotivat dhe vagonët janë të vjetër dhe nevojiten shpenzime të larta për zëvendësimin e tyre.
“Nga shtetet mike, jemi duke kërkuar donacione ose makina lëvizëse për udhëtarë dhe mallra, në mënyrë që me modernizimin e hekurudhave, të ketë edhe trena me shpejtësi më të madhe”, thotë Dedaj.
Ai nuk jep detaje se nga cilat shtete janë kërkuar donacionet dhe nëse kanë marrë ndonjë përgjigje prej tyre.
Trenat aktualë nuk mund të lëvizin më shpejt se 60 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, shpejtësia do të mund të rritet ndoshta deri në 150 kilometra në orë.
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr asokohe nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka premtuar se deri në vitin 2022, Kosova do ta ketë të përfunduar rrjetin hekurudhor Fushë Kosovë – Hani i Elezit dhe Fushë Kosovë – Leshak, në kufi me Serbinë.
Edhe një muaj deri në përfundim të vitit 2022, kjo nuk ka ndodhur.
Zyrtarë të Qeverisë aktuale të Kosovës kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar në rrjetin që lidh Kosovën me shtetet e rajonit dhe më gjerë, por se kur do të përfundojnë të gjitha punimet, nuk dihet.