Trepça ’89 u paraqit për herë të parë në garat evropiane, kryetari Zeka rrëfen rastet interesante nga kjo eksperiencë

Trepça ’89 u paraqit për herë të parë në garat evropiane, kryetari Zeka rrëfen rastet interesante nga kjo eksperiencë

Më  3 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA).

Votimi i fshehtë i mbajtur në Budapest, gjatë kongresit të organizatës, tregoi që për Kosovën votuan 28 pro, 24 kundër, derisa dy vota ishin shpallur të pavlefshme, shkruan Gazeta Enigma.

Pranimi i Kosovës në UEFA i kishte hapur rrugë aplikimit për anëtarësimin në shtëpinë e futbollit botëror, FIFA, i cili erdhi 10 ditë më vonë me 13 maj.

Njëri prej më meritorëve për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA ishte ish-kryetari i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Pranimin në UEFA ia panë hairin klubet Superligës së Kosovës në futboll, pasi mund të garojnë për pjesëmarrje në dy garat më të mëdha evropiane siç janë Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës dhe prej sezonit të ardhshëm në Ligën e Konferencës.

UEFA ka vendosur që nga sezoni i ardhshëm Kosova do të përfaqësohet në garat evropiane të futbollit me katër skuadra. Deri para këtij vendimi, futbollin e Kosovës e kanë përfaqësuar vetëm tre ekipe, kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, ndërsa me vendimin e fundit, futbolli kosovar do të dërgojë në garat evropiane edhe skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës.

Klube si Trepça ’89, Gjilani,  Prishtina, Drita, Feronikeli dhe Llapi kanë marrë pjesë në kualifikimet për këto gara evropiane. Kurse në vitin e ardhshëm pritet të marrin pjesë skuadra si Ballkani që është afër të shpallet kampion, Gjilani, Drita dhe Llapi që pozicionohet në vendin e katërt dhe është në finale të Kupës së Kosovës.

Klubi i parë i cili doli në arenën ndërkombëtare ishte skuadra mitrovicase, KF Trepça ’89, e cila në sezonin 2016/17 ishte shpallur kampione e Kosovës.

Ndeshja e parë ndërkombëtare e një klubit kosovar u luajt ndaj Vikingur Gota nga Ishujt Faro. Në dy ndeshje skuadra mitrovicase kishte pësuar humbje edhe pse një gjë e tillë nuk u pritej pasi që mitrovicasit kishin qenë favorit.

Gazeta Enigma në përvjetorin e gjashtë të pranimit të Kosovës në UEFA, e ka kontaktuar Presidentin e klubit Trepça ’89, Abedin Zekën.

Kryetari i skuadrës mitrovicase ka treguar shumëçka nga ndeshja e parë historike e një klubit në garat evropiane.

“Atëherë kanë qenë ndjenja të jashtëzakonshme si për mua, si për kryesinë, si për lojtarët dhe si për gjithë qytetin. Ndeshjen e parë në garat evropiane e kemi pritur me shumë emocione si klub. Kemi qenë pak të befasuar sepse nuk kemi ditur mjaftueshëm për organizimin”.

“Mëkati më i madhi ka qenë që na ka mposhtë Vikingur Gota, por sado pak ajo ka qenë eksperienca e parë. Jemi shumë krenarë që klubi jonë KF Trepça ’89 ka qenë e para e cila ka luajtur në garat evropiane dhe kemi përfaqësuar Kosovën. Kujtojmë që atëherë nuk ka qenë me parakualifikime sikurse tash”, tha Zeka.

I pari i 89-shit ka treguar dy raste mjaftë interesante gjatë kësaj eksperience.

“Rasti më interesant ka qenë kur nuk kanë dashur me na lanë më shku në Danimarkë, nga aty shkuam në Ishujt Faro. Ne mbërritëm në aeroport dhe na kërkonin ‘extra-viza’, dëshironin me na bo një presion më të madh. Por, më së interesanti ka qenë se ne kemi fjetur në objektin e një kishës në Ishujt Faro, kushtet aty brenda kanë qenë shumë të mira”.

“Gjithashtu interesant ka qenë kur e kam pyetur kryetarin e klubit te Vikingur Gota se pse nuk kishin shikues, ai më tha se shumica vijnë këtu e paguajnë biletën, por përsëri kthehen në shtëpi për ta shikuar ndeshjen nga TV-ja, kjo mu ka duk shumë interesant pasi që shikuesit po kontribojshin shumë për ekipin e tyre”, tha më tutje Zeka.

Presidenti mitrovicas ka treguar për herë të parë se kanë qenë ‘thashetheme’ fjalët se ekipi kundërshtarë nuk ka cilësi dhe se ata shumica janë kamerierë.

“Neve këtu në Kosovë na thoshin që ekipi kundërshtarë nuk ka cilësi dhe se shumë lojtarë përveç futbollit e bëjnë edhe ndonjë punë tjetër sikurse kamerier. Por, një e tillë nuk kishe qenë e vërtetë pasi që ne atje mësuam se futbollistët kishin paga marramendëse duke filluar nga 6 mijë deri në 10 mijë euro”, vazhdoi rrëfimin ai.

Zeka thotë se eliminimi nga skuadra e Ishujt Faro ka qenë dëshpërimi më i madhi nga kjo eksperiencë.

“Ne u paraqitëm shumë mirë, humbëm me rezultatin e ngushtë 2:1. Kemi qenë të bindur se ndeshjen kthyese do e rikthejmë, por mos-eksperienca e bëri të vetën dhe na mposhtën 1:4, kjo ka qenë gjynahi më i madhi t’i dëshpëronim shikuesit e shumtë që ishin prezent në stadium”.

Kryetari i 89-shit ka falënderuar Prishtinën dhe Dritën për rezultatet e mira të arritura në Evropë.

“Shpresoj që në vitet e ardhshme edhe ne të paraqitemi sa më mirë, pasi që vetëm se kemi filluar me paraqitje të mira nga klubet tona. Tashmë pasi që e kemi mbërritur koeficientin që të marrin katër skuadra në garat evropiane është shumë sukses i madh duke i falënderua Prishtinës dhe Dritës për paraqitjet e tyre”, u shpreh ai.

KF Trepça ’89 në sezonin tjetër përsëri garat do t’i zhvillojë në Superligën e Kosovës, pasi që këtë vit ata u inkuadruan nga Liga e Parë. Kësisoj, presidenti i klubit ka bërë të ditur se nëse ata arrijnë të shkojnë në garat evropiane nuk do të jenë euforik sikurse herën e parë.

“Nëse arrijmë që me klubin tonë të dalim sezonin tjetër në garat evropiane, jam i bindur që do kemi paraqitje shumë më të mira, e kemi një eksperiencë, të ardhmen nuk do të jemi kaq euforik sikurse herën e parë. Shpresoj shumë që do të rregullohet edhe infrastruktura në stadiumet tona dhe se Kosova brenda 5 viteve do të arrij shumë pasi që kemi talenta të shumtë”, përfundoi Abedin Zeka.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles