Trepça për herë të gjashtë e ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll. Në finalen shumë të fortë të luajtur të dielën mbrëma në Rahovec, Trepça e mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 74:66.
Skuadra mitrovicase Kupën e fitoi edhe vitin e kaluar. Finalja e së dielës ishte e fortë dhe dramatike. Skuadrat për asnjë moment nuk ia dolën të shkëputen në rezultat. Por “xehetarët” ishin më të koncentruar për t’iu gëzuar Kupës së Kosovës.
Trepça fillimisht Kupën e kishte fituar në vitin 1993. Më pas triumfoi në këtë garë në vitin 2000 e po ashtu në vitin 2004. Kupën mitrovicasit e festuan edhe në vitin 2012. Për herë të parë Trepça kupën e fitoi dy herë rresht. Drilon Hajrizi ishte më i miri te Trepça me 16 pikë, tetë kërcime e tri asistime.
Ken Brown i kishte 14 pikë, tri kërcime e tri asistime. Ndërkohë Mikaile Tmushiq realizoi 13 pikë e pesë asistime.
Te Prishtina më i miri ishte Dustin Thomas me 16 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Derrick Wilson i kishte 13 pikë e pesë kërcime, ndërsa Dardan Berisha realizoi 16 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime, por i kishte edhe shtatë topa të humbur. Trepça në çerekfinale kishte mposhtur Vëllaznimin, kurse në gjysmëfinale e kaloi Rahovecin.