Tri ankesa në PZAP, vjen reagimi nga KQZ

Tri ankesa në PZAP, vjen reagimi nga KQZ

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin se KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik.

Elezi tha se KQZ do të pres vendimmarrjen lidhur me këto ankesa para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, tha ai.

Ndryshe sot LVV sërish ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim të votave që kanë ardhur me postë nga mërgata.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kërkojnë hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm.

“Është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm. Sikurse, shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara tashmë i kemi raportuar në polici dhe prokurori”, ka theksuar ai.

Tutje, ai ka shkruar se mbesin në pritje të reagimeve konkrete dhe zyrtare nga institucionet përgjegjëse.

“Vullneti i popullit i shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk mund të preket e as tjetërsohet”, thotë ai.

Related Articles