Qytetarët në Kosovë janë tronditur gjatë kësaj javë, me tri vrasje në tri raste të ndara.
Një ditë më parë një person u vra në një fshat të Klinës. Ndërkaq, në fillim të javës një person u vra në Gjakovë dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Ndërkohë sonte ndodhi edhe një ngjarje tjetër e rëndë, ku në Majac të Podujevës, një burrë është vrarë dhe dy gra janë lënduar.
Në mesin e dy grave të lënduara dyshohet të jetë vetë gruaja që qëlloi për vdekje të ndjerin, e cila është identifikuar si A. Gashi, 31-vjeçe.
Të dy gratë janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Viteve të fundit janë regjistruar një sërë rastesh të dhunës me armë zjarri në Kosovë, që kanë çuar edhe në vrasje.
Mijëra armë zjarri pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës.
Ekspertët argumentojnë se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.
