Trumpi thotë se marrëveshja me Iranin mund të nënshkruhet edhe nesër

Trumpi thotë se marrëveshja me Iranin mund të nënshkruhet edhe nesër

Në konferencën për shtyp të mbajtur pas përfundimit të Samitit të G7-s në Francë, presidenti amerikan, Donald Trump, e nisi fjalën e tij duke falënderuar presidentin francez, Emmanuel Macron, për mikpritjen në Francë, ndërsa e cilësoi samitin e G7 -s si “një nga më të suksesshmit” deri më tani.

Trump tha se samiti u zhvillua pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, e cila sipas tij i dha fund luftës së fundit në Lindjen e Mesme, rihapi Ngushticën e Hormuzit dhe ndaloi Iranin të sigurojë armë bërthamore, raporton “BBC”.

Ai shtoi se Irani tashmë udhëhiqet nga një grup i ri drejtuesish, të cilët i përshkroi si “më të zgjuar” dhe “shumë më pak të radikalizuar”. Sipas Trumpit, zhvillimet e fundit përbëjnë në thelb një ndryshim regjimi në Iran.

“Flitet për ndryshim regjimi dhe askush nuk dëshiron ta thotë hapur, por mendoj se kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur”, deklaroi Trump. “Një grup drejtuesish është larguar, grupi i dytë gjithashtu është larguar. Edhe grupi i tretë është goditur pjesërisht. Unë mendoj se kjo është ndryshim regjimi”. Trumpi gjithashtu ka njoftuar se marrëveshja mund të nënshkruhet shumë shpejt, të enjten ose të premten, siç ishte raportuar edhe më parë. Ai madje ka thënë se mund të marrë vetë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

Trump para konferencës ka deklaruar se marrëveshja e arritur me Iranin nuk është ende përfundimtare. Ai theksoi se SHBA-ja do t’i rikthehet sulmeve ushtarake nëse marrëveshja finale nuk zbatohet sipas kushteve të tij.

“Është një memorandum mirëkuptimi. Dhe nëse nuk më pëlqen mënyra se si zbatohet, do t’u rikthehemi sulmeve dhe bombardimeve ndaj tyre. Nëse ata nuk sillen sipas marrëveshjes, do t’i rikthehemi menjëherë bombardimeve të rënda kundër tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë”, deklaroi Donald Trump.

Trump e ka quajtur kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, njeri të mirë, por që emocionohet nganjëherë.

E sa i përket fondit prej 300 miliardë dollarë për rindërtim, Trumpi tha se Irani mund ta marrë vetëm nëse bën gjërat si duhet. Ai ka insistuar se SHBA-ja s’do të japë para për Iranin.

Deklaratat e presidentit amerikan u bënë pak pasi liderët e vendeve të G7-s kërkuan armëpushim në Liban dhe thanë se do të diversifikojnë rrugët e furnizimit me energji për të reduktuar varësinë nga nafta që kalon nëpër Ngushticës e Hormuzit, si përgjigje ndaj luftës me Iranin, ndërsa mirëpritën një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund konfliktit.

Në deklaratën e përbashkët, liderët e G7-s bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Liban.

“Në Liban, ne mbështesim përpjekjet e udhëheqjes libaneze për çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e kontrollit ekskluziv të shtetit mbi armët, përmes një armëpushimi të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm. Gjithashtu, mbështesim ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Libanit, të garantuara nga mekanizma të përshtatshëm ndërkombëtarë të sigurisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Trumpi tha se paqja në Liban është diçka që duhet punuar dhe shtoi se “marrëveshja e madhe është ajo me Iranin”.

Related Articles