Policia e Kosovës, ka njoftuar se pasi ka ekzaminuar vendin e ngjarjes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, nuk gjeti asnjë mjet shpërthyes, shkruan Gazeta Enigma.
Pasi ishin evakuuar qytetarët nga ai vend dhe ishin bllokuar linjat për qarkullim, tashmë vendi është hapur për lëvizje nga qytetarët.
Me këtë, alarmi për mjet shpërthyes që e pranoi policia nga një telefonues anonim, del të jetë i rrejshëm.
Pas kësaj, zjarrfikësit dhe forenzika, janë larguar nga Stacioni i Autobusëve.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, i cili nga prokurori i shtetit është cilësuar si Lajmërim i rrejshëm”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për “Enigmën”.
Kurse, U.D., i Drejtorit të Stacionit të Autobusëve, Arianit Grezda, kishte konfirmuar se pas raportimit për mjet shpërthyes, nuk kishte asnjë person brenda Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Sipas raportimeve të para ishte dyshuar për bombë.
“Jemi largu nga vendi i ngjarjes, çdo njeri e kanë largu”, tha Grezda për Gazetën “Enigma”, derisa kishte theksuar se nuk dinë asgjë se ku mund të ndodhet bomba./Gazeta Enigma/