Federata e Futbollit e Serbisë ka marrë një goditje të rëndë nga UEFA, e cila ka shpallur një sërë dënimesh për shkelje të shumta të etikës dhe disiplinës gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, shkruan Enigma.
Më 11 dhjetor, Komiteti i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s ka vendosur një total prej 119,750 eurosh si gjobë për Federatën Serbe për incidentet që ndodhën gjatë ndeshjes Zvicër–Serbi të zhvilluar më 15 nëntor.
Në këtë takim, tifozët serbë kanë kryer veprime të papranueshme, përfshirë ndezjen e fishekzjarrëve, hedhjen e objekteve në fushë dhe transmetimin e mesazheve provokuese, duke shkelur rëndë rregullat e sjelljes sportive. Për këtë, Federata Serbe është gjobitur me 82,500 euro, ndërsa janë imponuar ndalime për shitjen e biletave për dy ndeshje të ardhshme.
Përveç kësaj, tifozët serbë janë akuzuar për sjellje raciste dhe diskriminuese, duke sjellë një gjobë tjetër prej 50,000 eurosh, si dhe një penalizim për dëme në stadium në vlerën e 5,000 eurove.
Po ashtu, për ndeshjen Serbi–Danimarkë të zhvilluar më 18 nëntor, Federata Serbe ka marrë sanksione të tjera, duke përfshirë një gjobë prej 13,250 eurosh dhe një dënim të kushtëzuar për mbylljen e një pjese të stadiumit në ndeshjet e ardhshme.
Ndërkohë, klubi Cërvena Zvezda ka marrë një gjobë të rëndë prej 89,000 eurosh për shkelje të ngjashme gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Stuttgartit, përfshirë publikimin e mesazheve të papërshtatshme.
Këto masa janë pjesë e një trendi të vazhdueshëm të dënimeve ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për thirrje anti-Kosovë dhe përmbajtje diskriminuese.