Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media sot ka njoftuar se ai zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus dhe se të dy biseduan për një sërë çështjesh. Por, siç tha Vuçiq, gjëja më e rëndësishme për Serbinë është se janë pajtuar për elementet kyçe të marrëveshjes së re për furnizimin me gaz, që do të ketë kohëzgjatje prej tre vjetësh, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar njohësin e çështjeve politike, Rasim Alija, i cili tha se Serbia kërkon ta trash marrëdhënien me Rusinë dhe ta mbaj mirë me Putinin edhe në një kohë si kjo kur Bashkimi Evropian dhe bota perëndimore bëjnë thirrje për bllokadë dhe sanksione ndaj Rusisë.
“Nuk e di cilat janë pasojat dhe si mundet të ndikoj e gjithë kjo, por ajo çka mundet me u tërheqë prej kësaj marrëveshje në kohën kur Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota perëndimore bëjnë thirrje për bllokadë dhe sanksione për Rusinë, saktësisht për Putinin del një lider i Ballkanit Perëndimor si Vuçiqi që lidh marrëveshje tregon më së miri pozicionin e Serbisë lidhur me Rusinë”, ka deklaruar Alija.
Tutje ai ka shtuar se “Serbia kërkon që ta trash marrëdhënien me Rusinë dhe ta mbaj mirë edhe me Putinin që pastaj këtë ta përdorë si një lloj presioni karshi botës perëndimore e në veçanti BE-së”.
Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, në një përgjigje për “Enigmën” ka deklaruar se sjellja e Bashkimit Evropian karshi Serbisë është anemike.
“Mirëpo në anë tjetër kemi një sjellje komplet anemike të Bashkimit Evropian karshi Serbisë e cila vazhdimisht bënë këso salltash politike, e sidomos tani në lidhje me Putinin”, ka thënë ai.
Sipas tij sjellja e BE-së ndaj Serbisë është anemike pasi nuk ka asnjë lloj penalizimi.
“Në anën tjetër një sjellje anemike të BE-së ku nuk ka asnjë lloj penalizimi për Serbinë, të paktën penalizëm deklarativë, duke pare sa të kujdesshëm janë Bashkimi Evropian karshi Serbisë edhe në momentet kur ka incidente në Veri pa çka që incidenti mund të bëhet nga vetë serbët e shtyrë prej Beogradit deklaratat e BE-së janë gjithmonë të balancuara, është standardi i deklaratave të tyre që ju bëjnë thirrje te dyja palëve që të qetësohen, ku në 90 përqind të rasteve është vetëm njëra palë e involvuar aty, nuk ka palë kosovare të involvuar”, ka deklaruar Alija.
Tutje Alija ka theksuar se “sjelljen e Bashkimit Evropian e shohim komplet anemike, sidomos në marrëveshjen e fundit të Vuçiqit me Putinin për gazin, ky duhet të jetë sinjali i qartë dhe i fundit që diçka në politikën e BE-së karshi Serbisë të ndryshojë dhe kjo pastaj të afektohet, dhe pse jo të afektohet edhe në pozicionin që mban Bashkimi Evropian karshi Dialogut Kosovë-Serbi”.
“Nuk po them që kjo duhet të ndikoj tek Bashkimi Evropian të mbaj anë për Kosovën, mirëpo ta ketë parasysh se në tavolinë është një Serbi e cila patjetër që mban anë dhe ka mbajtur gjithmonë anën e Putinit në një kohë ku e gjithë bota perëndimore është kundër tij”, ka përfunduar Alija.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe shef i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar pas marrëveshjes që sot bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për blerjen e gazit rus.
Vela ka theksuar se Serbia në vend se të përafrojë qëndrimet me BE-në, ajo po bashkëpunon me Rusinë dhe ka pyetur se deri kur do ta tolerojë Bashkimi Evropian këtë sjellje të Serbisë.
“Putin dhe Vuçiq u pajtuan në një telefonatë sot që Rusia të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gazë natyral dhe dy vendet do të vazhdojnë të përforcojnë partneritetin e tyre. Serbia një vend kandidat i BE-së, në vend se të përafrojë sanksionet me BE-në thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, ka shkruar Vela./Gazeta Enigma/