Politologu Fidan Ukaj, ka thënë se votimi i së dielës në katër komunat veriore për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave do të dështojë pas thirrjes së Listës Serbe për bojkotim.
Ukaj ka thënë se Lista Serbe ka vepruar me skenar që nga fillimi i procesit për ta zhvendosur presionin ndërkombëtar.
“Jam skeptik pas thirrjes së Listës Serbe se mund të ketë ndonjë sukses ky votim i sotëm. Ka qenë një skenar i Listës Serbe për ta zhvendosur presionin ndërkombëtar nga Lista Serbe dhe Beogradi, tani po e shohim edhe tërheqjen e Listës Serbe. Ka qenë një skenar që nga fillimi i procesit. Fatkeqësisht Lista Serbe ka një ndikim të madh, ka ndikim edhe material e ekonomik, nuk është vetëm një parti politike, është edhe arterie kryesore e shumë vendimeve në Kosovë për komunitetin serb. Kjo thirrje e Listës Serbe që të bojkotohet procesi zgjedhor, mendoj që për shkak të kësaj thirrjeje do të dështojë procesi i sotëm zgjedhor”, ka thënë ai në KTV.
Ukaj tutje ka thënë se sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë tjetër për shkarkimin e kryetarëve mund të merret pas një viti.
“Faktori ndërkombëtar asnjëherë nuk është dëgjuar duke thënë se e përkrahin udhëzimin administrativ, megjithatë kanë thënë se është një mundësi e mirë. Kemi parë një vizitë të z.Lajçak në Beograd, duke e takuar presidenti Vuçiq në funksion të thirrjes për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të komunitetit serb në Kosovë. Presioni ndërkombëtar duhet të zhvendoset te Lista Serbe dhe te Beogradi sepse mundësia është dhënë dhe ata haptas kanë dalë për të bërë thirrje që qytetarët të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor”, ka shtuar ai.