Ukraina i ka lëshuar qindra dronë të shtunën kundër shënjestrave në mbarë Rusinë, përfshirë dhjetëra mbi rajonin e Shën Petersburgut, në ditën e fundit të forumit më të rëndësishëm të investimeve në Rusi.
Autoritetet e Shën Petersburgut urdhëruan përkohësisht banorët të qëndronin brenda shtëpive dhe pezulluan transportin publik gjatë sulmit të së shtunës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shumë nga dronët u rrëzuan.
Një qark në perëndim të Shën Petersburgut u mbyll plotësisht pasi një dron goditi një ndërtesë të paspecifikuar ushtarake.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mori përgjegjësinë për sulmin, i cili ishte i dyti i këtij lloji i kryer gjatë Forumit Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petersburgut, një ngjarje që dikur është quajtur “Davosi i Rusisë”.
Zelensky theksoi se një bazë ruse dhe një strukturë detare në ishullin Kronstadt kishin qenë në shënjestër.
“Është koha që kjo luftë të marrë fund. Por, udhëheqësi rus dëshiron ta vazhdojë luftën. Prandaj ‘sanksionet’ ukrainase po kryejnë punë kundër këtij agresioni”, tha ai në një postim në Telegram.
“Çdo akt padrejtësie kundër Ukrainës do ta marrë përgjigjen e drejtë”, shtoi Zelensky.
Në ditën e parë të forumit, dronët ukrainas goditën një kompleks nafte dhe një bazë ushtarake në qytet, duke shkaktuar re të mëdha tymi të zi mbi rajon.
Ai sulm u cilësua si shenjë nga Kievi, me qëllim ose t’i trembte investitorët e mundshëm, ose të dëshmonte aftësinë e Ukrainës për t’i shmangur sistemet ruse të mbrojtjes kundërajrore.
Në përgjithësi, zyrtarët rusë thanë se u zbuluan më shumë se 376 dronë ukrainas mbi më shumë se një duzinë rajonesh të Rusisë.
Sipas zyrtarëve, një depo nafte në rajonin jugor të Krasnodarit u përfshi pjesërisht nga flakët pas një sulmi me dronë ukrainas.
Shumë nga sulmet e Ukrainës në muajt e fundit kanë pasur në shënjestër infrastrukturën ruse të naftës, me synimin për ta penguar Moskën në eksportimin e naftës jashtë vendit dhe për ta kufizuar kapacitetin e saj për rafinimin e benzinës.
Një numër në rritje rajonesh ruse kanë raportuar mungesa të benzinës gjatë javëve të fundit, megjithëse një pjesë e këtyre problemeve i atribuohet faktorëve sezonal.
