Ultimatumi i fundit për Kosovën dhe Serbinë

Ultimatumi i fundit për Kosovën dhe Serbinë

Kërkesat dhe propozimet që pesë emisarët perëndimorë kanë nxjerrë para Kosovës dhe Serbisë, janë të prera për të dyja vendet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë dhe Beograd.

Për përmbajtjen e tyre ka pak informacione, por thuhet se i obligojnë palët për disa hapa që do të çonin në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan për herë të fundit më 14 shtator.

Dhjetë ditë më pas ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura sulmuam policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për këtë sulm, Serbia tha se ai është kryer nga një “grup i serbëve të dëshpëruar lokalë”.

Në përpjekje për t’i kthyer palët në tryezën e bisedimeve, diplomatë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd, ku paraqitën kërkesat e tyre.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat janë ato dhe si do të përgjigjet Kosova ndaj tyre.

Ai [Vuçiq] e ka pranuar në shkurt atë marrëveshje, ku statusi [i Kosovës] është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe të tjerat”.

Sipas analistëve Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq, ato kanë të bëjnë me një hartë të rrugës që duhet ndjekur për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të arritur në muajin shkurt në Bruksel.

Burimet diplomatike evropiane i thanë Radios Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për normalizim.

Maliqi: Ultimatum i emisarëve perëndimorë për Kurtin dhe Vuçiqin

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se nga ajo që është kuptuar deri më tash, në planin e pesë emisarëve perëndimorë përfshihet çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Me gjasë [emisarët perëndimorë] kanë ardhur me një ultimatum mbi sekuencën dhe hapat se si do të shkohet deri te zbatimi [i marrëveshjes]. Propozimi, me gjasë, nuk është i hapur për komentet e palëve, por më shumë është si dokument ose si një sekuencë e formës ‘pranoje ose lëre’. Kjo duket qartë, për shkak se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes, po harxhohen”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fakti që ekzistojnë pritje që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen sa më shpejt, tregon që vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia – kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe hapa të shpejtë nga të dyja palët.
Maliqi thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve me siguri që nuk lënë anash as sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Në lidhje me zhvillimet në veri, gjithsesi duhet të ketë dhe besoj se do të ketë [kërkesa nga emisarët perëndimorë], qoftë në formën e kushtëzimeve për Serbinë në rrugën e saj integruese, apo edhe ndonjë propozim konkret se çka pritet prej Serbisë në kuptimin e marrjes së masave ndaj grupit [të armatosur]. Kjo besoj se është shumë e nevojshme që të krijohet një lloj fryme e parandalimit të çfarëdo përpjekjeje të ardhshme për destabilizim”, thotë Maliqi.

Pranimi i kërkesave të emisarëve perëndimorë, sipas tij, do të varet nga pasojat që po këta emisarë do t’ua komunikojnë palëve, në rast se nuk i pranojnë ato.

Janjiq: Siguria në veri, kërkesë parësore

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se BE-ja dhe emisarët perëndimorë, në esencë, po përpiqen të mbajnë një lloj dinamike sa u përket çështjeve politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Por, shton ai, para cilësdo çështje politike, ata kërkojnë ta definojnë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.

Janjiq vlerëson se sulmi në Banjskë, është çështja e parë që trajtohet në kërkesat e emisarëve perëndimorë.

Kjo situatë, sipas tij, paraqet problem serioz për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk i japin hapësirë [Vuçiqit] të lëvizë jashtë kësaj çështjeje të sigurisë, derisa të mos fillojë gjykimi [ndaj grupit të armatosur] dhe derisa të mos zgjidhet çështja e kthimit [të serbëve të veriut] në institucione. Kjo është e re, sepse, për herë të parë, ata janë në prag të bisedimeve për pakon e sigurisë, e cila, sipas definicionit, nuk funksionon në formatin ku [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak dhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep] Borrell janë kryesorët. Këtë do ta mbikëqyrë grupi i QUINT-it”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit se vendet e Perëndimit i kanë politikat e veta që “janë plotësisht të kundërta” me qëndrimin e Serbisë, janë për “konsum të brendshëm”.

Janjiq thotë se Vuçiq është pajtuar tashmë me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin është rënë dakord në Ohër.

“Ai [Vuçiq] e ka pranuar në shkurt atë marrëveshje, ku statusi [i Kosovës] është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe të tjerat. Kështu po bëhet përpjekje që të ruhet ai niveli politik [i dialogut], por se, në esencë, insistohet në siguri. Për të do të marrë mbikëqyrje më të madhe EULEX-i [Misioni i BE-së për sundimin e ligjit]”, thotë Janjiq.

Ai thekson se, pa stabilizimin e situatës së sigurisë në veri, nuk mund të ketë dialog për zbatimin në terren të obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Çfarë u tha në Prishtinë dhe në Beograd për kërkesat e emisarëve ndërkombëtarë?

Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”.

Aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.

Por, sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

Në Beograd, Vuçiq tha se takimi ishte “i vështirë”, por se nuk mund të japë më shumë hollësi.

Ai tha se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i kësaj jave.

Kurti edhe Vuçiq pritet të jenë në Bruksel këtë të enjte, kur mbahet një samit i Këshillit Evropian.

Sipas burimeve të BE-së, afati i tyre për t’u deklaruar për kërkesat e emisarëve, “nuk është i gjatë” – “më së largu deri të enjten”.

Në rast se do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe për procesin e dialogut, thonë burimet e BE-së.

SHBA-ja, po ashtu, përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt të hënën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Robert Wood, tha se “është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog”.

Ai, gjithashtu, tha se personat e përfshirë në sulmin në Banjskë, duhet të mbahen përgjegjës.

Related Articles