Ultimatumi i ndërkombëtarëve ndaj Kurtit – A po thellohet përqarja mes Kosovës e Serbisë

Ultimatumi i ndërkombëtarëve ndaj Kurtit – A po thellohet përqarja mes Kosovës e Serbisë

Vetëm dy ditë i ka dhënë kohë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar , që të pajtohet me tri kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për situatën në veri, shkruan Gazeta Enigma.



Escobar dhe Lajçak, trokitën në zyrën e Kurtit, për të gjetur një zgjidhje rreth tensioneve të ngritura në tri komunat veriore të Kosovës.

Zgjedhjet e fundit të mbajtura në veri, u bojkotuan nga serbët. Një përqindje e vogël morën pjesë në zgjedhje, dhe si rrjedhojë u zgjedhën tre kryetarë të rinjë. Dy me origjinë shqiptare dhe një me origjinë boshnjake.  

Zgjedhja e këtyre kryetarëve, u prit me protesta nga serbët e veriut, duke vënë barrikada për mos t’i lënë kryetarët e rinjë të futen në objektet e komunës, sepse sipas tyre “ata nuk i përfaqësojnë ata”.

Vendimi i Kurtit për t’i futur tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e fundit në këto komuna, me anë të Policisë, rriti edhe më shumë tensionet atje.

Zhvillimet e fundit atje bënë që të reagojnë gjitha shtetet perëndimore, ku edhe u morr vendimi që të sanksionohet Kosova, me anë të pezullimit të  FSK-së nga “Defender 2023”.

Kurtit i prezantuam planin me tri pika për të dalë nga situata Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pasur një diskutim të gjatë e të vështirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai pas përfundimit të takimit me Kurtin ka thënë se është prezantuar propozimi prej tri pikave për të dalë nga situata.

“E para është shtensionimi, e dyta zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim”, ka thënë Lajçak. “Misioni ynë vetëm sa ka nisur”, tha mes rreshtave ai.

Sipas tij, legaliteti nuk do të thotë përfaqësim dhe ky, sipas tij, është problemi me të cilin po përballet vendi tani.

“Legaliteti nuk do të thotë përfaqësim dhe ky është problemi që po e kemi për momentin dhe prandaj është në interes të Kosovës dhe të të gjithëve që të kemi kryetarë komunash që kanë edhe ligjshmëri edhe përfaqësim”, ka thënë Lajçak para gazetarëve.

Ai foli edhe për pasojat e përmendura për Kosovën në lidhje situatën në veri. Sipas tij, këto pasoja janë përmendur në një dokument i përpiluar nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe është mjaft serioz dhe me peshë, derisa nuk dha ndonjë detaj.

“Nuk kam përmendur pasojat, ishte e përmendur në deklaratën e BE 27, është dokument i përpiluar nga 27 shtetet anëtare, pra një dokument me të vërtetë serioz dhe me peshë dhe mund të ju them që shtetet anëtare janë duke pritur që ne të shkojmë dhe t’u raportojmë atyre, nuk do të jap asnjë spekulim”, ka thënë ai.

Nuk ka votim të detyrueshëm, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës.

Në anën tjetër, Gabriel Escobar, në një qasje më të butë, tha se nuk ka votim të detyrueshëm dhe se respektojnë strukturën kushtetuese të Kosovës.

“Sa i përketë zgjedhjeve, ne e respektojmë autoritetin e Qeverisë së Kosovës, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës dhe nuk ka votim të detyrueshëm në këtë shtet. Por, një gjë është e qartë, pra që duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe harmonia mes grupeve etnike, prandaj ne po mendojmë që të gjejmë një rrugë përpara”, tha ai.

Escobar foli edhe për ushtrimin “Defender”, duke thënë vetëm se duan që Kosova të arrijë çdo aspiratë të saj.

“Sa i përketë operacionit Defender mund t’iu them kështu, unë jam një mbështetës i madh i Kosovës, duam më të mirë për Kosovën, dua që Kosova të arrijë çdo aspiratë të vetën, jemi mbështetës të sigurisë, të pavarësisë, të sovranitetit, të integritetit territorial të Kosovës, krejt çka duam është unitet”, përfundoi ai.

SHBA-ja është përkrahësja më e madhe e Kosovës

Pas takimit, Escobar u shpreh se SHBA-të janë në anën e Kosovës, dhe se vetëm po tentohet një marrëveshje për më të mirën e Kosovës.

“Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar.

Ai ka thënë se e respekton Qeverinë e Kosovës dhe strukturën Kushtetuese të Kosovës, por ai ka thënë se po mundohet të gjendet një formulë për “harmoni mes grupeve etnike”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur pas takimit që ka zhvilluar me Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, dy emisarët special të BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin dhe Kosovës.

Krasniqi tha se asnjëherë më parë nuk ka parë shqetësim të tillë nga partnerët e Kosovës.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit. Dëgjuam qëndrimet që janë të njohur. Shqetësimi është i madh është se nuk ka lëvizje përpara, po dëmtohet Kosova. Shprehëm gatishmërinë për të ruajtur relacionet me ShBA-në, nuk është diktuar për tema konkrete. Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”, tha ai./Gazeta Enigma./

Related Articles