Sipas ekspertëve shëndetësor gratë shtatzëna kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit nga COVID-19.
Vaksina përveç shtatzënave rrit imunitetin edhe për nënat gji-dhënëse, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar për të mitrat që sjell vaksina për gratë shtatzëna dhe ato gji-dhënëse.
“Vaksinat krijojnë imunitet si te gratë shtatzëna ashtu edhe tek nënat gji-dhënëse.
Studimet kanë dëshmuar se nënat e vaksinuara kanë antitrupa në qumështin e gjirit, përmes të cilit i sigurojnë mbrojtje edhe foshnjës”, thuhet në njoftimin e MSh.
Sipas tyre në gjë e tillë duhet të bëhet sidomos tani që kemi edhe përhapjen e varianteve të reja.
“Për shkak të rritjes së numrit të varianteve të virusit (SARS COV-2) dhe rëndësisë së mbrojtjes së grave shtatzëna dhe nënave gji-dhënëse, vaksinimi i tyre ka rëndësi në parandalimin e infektimit, sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe lindjes së parakohshme”, njoftojnë nga MSh, transmeton Gazeta ‘Enigma’.
Infektologu Ramadani: Vaksinimi i shtatzënave është i domosdoshëm
Edhe infektologu, Hmdi Ramadani, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’ ka bërë thirrje për gratë shtatzëna që të vaksinohen, në mënyrë që të mbrojnë veten dhe fëmijën e tyre.
“Vaksinimi te gratë shtatzëna është i mirë dhe i drejt, këto kategori duhet të bëjnë imunizimin e tyre sikurse edhe në vendet tjera në botë pasi që edhe OBSH dhe organizata ndërkombëtare e kanë lejuar vaksinimin e shtatzënave, dhe mjekët gjinekolog po ashtu kanë bërë apel dhe këshilla të vaksinohen edhe gratë shtatzëna për tu mbrojtur nga infeksioni dhe për të qenë të sigurta në mbrojtje post vaksinale”, ka deklaruar Ramadani.
Ramadani ndër të tjera ka theksuar se “Nuk ka të dhëna të cilat japin versione ose mendime të tjera shkencore profesionale, ku edhe mosha fëmijërore sikur se dihet që edhe kjo moshë po preket me COVID-19 por dhe me variante tjera që po qarkullojnë në vend dhe regjion, andaj duhet bërë vaksinimin edhe tek fëmijët sepse është e pakuptimtë dhe jo etike që të mos mbrohen fëmijët me vaksinim sikurse edhe në vendet tjera”.
Ndryshe, gjatë 24 orët e fundit janë administruar 3.047 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.669.230 doza të vaksinës.
Deri më tani 781.351 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Gazeta Enigma/