Vazhdon diskriminimi, karateistët kosovarë mbesin pa viza dhe pa pjesëmarrje në Kampionatin Mesdhetar në Tunizi

Vazhdon diskriminimi, karateistët kosovarë mbesin pa viza dhe pa pjesëmarrje në Kampionatin Mesdhetar në Tunizi

Sportistët kosovarë po vazhdojnë të diskriminohen me të madhe.

Atyre po u mohohet një e drejt elementare – pjesëmarrja në garat ndërkombëtare, shkaku i politikës.

“Viktima” të radhës ishin karateistët e Kosovës, të cilët ishin bërë gati për të marrë pjesë në Kampionatin Mesdhetar të karatesë.

Por, një gjë e tillë iu mohua për shkak se Tunizia, si organizatore e kësaj gare, nuk i pajisi me viza garuesit kosovarë duke i lënë pa pjesëmarrje dhe pa medalje potenciale.

Të shqetësuar me këtë vendim janë drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës, të cilët ishin bërë gati për organizimin dhe për udhëtimin e garuesve drejt Tunizisë.

“Si Federatë i kemi kryer krejt procedurat, emrat e garuesve i kemi dërguar me kohë. Sot kemi pas për ta bërë nisjen, por dje jemi informuar nga Federata e Karatesë së Tunizisë se Ministria e Punëve të Jashtme të këtij shteti nuk i ka konfirmuar vizat tona për hyrjen e garuesve të Kosovës në territorin e tyre”, deklaroi fillimisht për “Express” sekretari i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi.

“Nesër është regjistrimi dhe nuk kemi kohë më të mbërrijmë. Delegacioni i Kosovës ishte i përbërë nga 37 veta, prej tyre 30 garues. Është mëkat që garuesve tanë iu mohohet kjo e drejt, kishim potencial për të fituar edhe medalje”, shprehet tutje ai.

Gashi tregon se vjet u ishte lejuar pjesëmarrja garuesve kosovarë në Marok, edhe pse ky vend nuk e njeh Kosovën si shtet.

Përkundër bashkëpunimit të mirë të palës kosovare me Federatën Tuniziane, kjo e fundit nuk ishte e aftë ta ndryshonte vendimin e Ministrisë së Jashtme të këtij vendi dhe kështu karateistët kosovarë do të mbesin në shtëpi pa fajin e tyre.

Karateja kosovare është goditur disa herë shkaku i vizave.

Pak kohë më parë, karateistët e këtushëm nuk u lejuan të merrnin pjesë me simbole shtetërore në Kampionatin Evropian të Karatesë, i cili u mbajt në Spanjë, dhe me këtë rast e anuluan pjesëmarrjen.

Po ashtu, edhe Qiproja, një vend tjetër që nuk na njeh si shtet, iu solli probleme karateistëve kosovarë, që me këtë rast mbetën jashtë Evropianit për të rinj.

Sportistët kosovarë janë diskriminuar vazhdimisht nga vendet që nuk e njohin Kosovën si shtet

Related Articles