Gjykata Themelore e Prishtinës edhe nesër do të vazhdojë seancën për rastin “Banjska”.
Zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, ka deklaruar se seanca do të fillojë nga ora 09:30.
Dëshminë i pari e nisi zyrtari policor Elez Peci, i cili tregoi se si i ndjeri Afrim Bunjaku, më 23 shtator të vitit 2023 e kishte bërë orarin si zakonshëm, për të filluar me patrulla.
Më pas, Peci rrëfeu si e kuptuan se mbi urën e fshatit Banjskë ishin vendosur kamionë për të bllokuar hyrjen
“Më 23 shtator të vitit 2023, orarin e ka bërë rreshteri i ndjerë, Afrim Bunjaku, si zakonisht kemi filluar ma patrulla edhe pse lëvizjet i kemi pasur të kufizuara, arsyeja dihet se ka qenë rrezik. Deri në orën 2 kemi qenë në terren në komunën e Zveçanit bashkë me Fahri Shalën. Në 2 jemi kthyer në stacion, në ora 2:30 me radio lidhje është njoftuar dhoma komanduese nga njësia NJSh kufitare, se në fshatin Banjskë mbi urë janë vendosur dy kamionë dhe ishte bllokuar hyrja e fshatit. Banjska është me Zveçan. I ndjeri Afrim Bunjaku na ka thirrë neve policëve, na ka dhënë detyrat, jemi pajisur me antiplumba, helmeta dhe të tjera pajisje policore. Kam qenë në automjet me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjakun”.
“Duke shkuar në Jeshevik të Zveçanit, 1 kilometër, 1 e gjysmë pa u afruar te Banjska, e kemi parë një golf ngjyrë të kaltër, e kemi ndaluar automjetin, e bëmë verifikimin dhe kemi bërë kontrollimin e veturës. Aty gjetëm një radiolidhje të policisë antene, ia kemi marr të dhënat dhe e kemi liruar, pasi ai nuk ishte i kërkuar. Antenën e konfiskuam”.
Tutje, zyrtari policor Peci tregoi detaje të frikshme edhe të momentit të shpërthimit.
“Kur kemi shkuar në Banjskë afër kamionëve, kam dyshuar dhe kam thënë po shpërndahemi se mundet me qenë kurth. Pastaj prapa meje ka ardhur Sadati, i kam thënë përcjelle rrugën e Izvorit, unë jam mbështetur te kamioni, në ato momente ka ndodh një detonim i fortë, aq i fortë sa ma ka humbur edhe balancën. Pas detonimit ka pasur menjëherë të shtëna të armëve të kalibrave të ndryshme. 10-15 metra i kemi pasur afër. Armë të rënda ka pasur edhe aty te manastiri. Unë jam munduar të mbroj veten dhe kolegët duke shtënë me ta, por ishim shumë të pabarabartë si në numër ashtu edhe në armatim”, shtoi Peci.
Zyrtari policor, Elez Peci, duke dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës ku u mbajtë seanca e radhës për rastin “Bansjka”, ka treguar si Milan Radoiçiqi bashkë Zvonko Veselinoviqin, qarkullonin me përcjellje të vetë.
Peci tha se këta dy persona kanë pasur gjithçka në dorë. Pos Pecit, ditëve të kaluara kanë dhënë dëshminë edhe Mirsad Kryeziu, Çlirim Shaqiri dhe Alban Rashiti.
I njëjti e përmbylli dëshminë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës për rastin “Banjska”, duke treguar se është emocionalisht i lënduar pas humbjes së rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga kriminelët serbë në vitin 2023.
Ai tha se humbja e tij ka qenë fatale.
“Jam emocionalisht shumë i lënduar, kam pasur afërsi të madhe me Afrimin, humbja ka qenë fatale. Ka lënë prapa fëmijë, tjetër nuk di. Jam i gatshëm të dëshmoj sa herë që më thirrni”, tha polici Peci
Pas zyrtarit policor, Elez Peci, i cili zbuloi detaje drithëruese nga sulmi i 24 shtatorit të vitit 2023, aty u rrëfye edhe Avni Shala, poashtu zyrtar policor.
Shala ka treguar se si shpërthimi pranë barrikadave me dy kamionë zbardhi rrugën pasi siç tha polici, ishte shumë i fuqishëm.
“Përmes radiolidhjes kemi dëgjuar kolegët e njësisë kufitare që në Banjskë janë vendosur barrikada. Si njësi e trafikut, kam kërkuar nga kolegu im që të shkojmë të shohim sepse kemi vlerësuar që janë pak. Jemi nisur pesë minuta pas tyre, kemi shkuar te barrikada, jemi parkuar në anën e majtë dhe kemi dalë nga automjetet. Kemi filluar të afrohemi, e mbaj mend që vendi ku kanë qenë barrikadat, ka qenë në ndriçim publik, ndërsa pas barrikadës ishin dy kamionë të vendosur në urë në mënyrë paralele, nuk ka pasur ndriçim as në fshatin Banjskë, bile as ndriçim të shtëpive mund të them. Rreshteri sa di unë, ka arritur me biseduar me njësinë kufitare. Rreshteri i vetmi ka qenë i graduar për të parë e dëgjuar dhe të vlerësonte çka tutje. Në ato momente, kolegu Elez Peci ka thënë me zë të lartë “kujdes djema” kjo mund të jetë kurth. Pas 30 sekondash, është dëgjuar një zhurmë si fishekzjarre dhe pastaj një detonim që ka shkaktuar zbardhjen e krejt rrugës”, tha Shala në Gjykatë
Tutje, zyrtari policor tregoi momentin prekës kur në tokë pa të shtrirë rreshterin e ndjerë, Afrim Bunjakun.
Atë, siç tha Shala, e kishte prekur në këmbë për të parë nëse ishte gjallë, por siç theksoi ai, nuk lëvizi.
“Të shtëna kishte nga të gjitha anët me kalibra të ndryshëm. Kam shikuar kah drejtimi i barrikadës, e kam vërejtur një person të shtrirë, nuk isha i sigurt që ishte rreshteri edhe pse kam pasur dyshime se ishte ai, e kam prekur nga këmbët, por nuk lëvizte. Minuti ishte orë në ato momente. Në spital e mora vesh që rreshteri kishte ndërruar jetë. E mora armën e tij dhe helmetën që ishte plot me gjak dhe u ktheva në stacion”, tha Shala.