Vazhdon edhe sot seanca ndaj Gucatit e Haradinajt

Vazhdon edhe sot seanca ndaj Gucatit e Haradinajt

Edhe sot pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Gjatë ditës së djeshme, ish-nënkryetari i OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj, para trupit gjykues tha se ai asnjëherë nuk ka publikuar dokumente me përmbajtje të ndjeshme, siç pretendohet nga gjykata.

Ndërsa, Gucati është detyruar që të largohet nga salla për arsye shëndetësore.

Ndryshe, Haradinaj gjatë ditës së djeshme derisa ishte duke u deklaruar kishte thënë se nuk pendohet për veprimet e tij përmes së cilave ka bërë të ditur se në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur për tre herë me radhë.

Gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, ai ka deklaruar se krerët e OVL-UÇK nuk kanë publikuar apo shumëzuar dokumente, veçse kanë bërë të ditur ngjarjen e arritjes së tyre dhe se përsëri do të vepronte njësoj.

Nga prokurori, Haradinaj është pyetur nëse është penduar për veprimet e tij lidhur me ngjarjen që lidhet me dokumentet që ishin dorëzuar në organizatë.

“Për atë të cilën unë e pranova dhe jo atë të cilën ti po pretendon, asnjë grimë nuk ndjehem i penduar, sepse e kam bërë me vetëdije timen dhe thellë i bindur se është në dobi të transparencës dhe interesit publik, kështu që e kam kryer vetëm një obligim që unë kam menduar që më është dashur ta kryejë, asnjë gjë më tepër dhe ajo është marrja prej aty dhe qitja deri aty, për deri këtu asnjë gjë nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se veprimet që lidhen me dokumentet i ka ndërmarrë duke pasur parasysh interesin publik.

“Për këtë e kam ditur që është interes dhe kam qenë thellë i bindur, që është në interesin publik dhe është për hir të transparencës publike, për këtë arsye e kam bërë dhe kam menduar që është detyrë jo vetëm e imja, por e çdo qytetari të një shteti demokratik dhe të pavarur, shprehja e mendimit të lirë. Veprimin që e kam bërë, që kam treguar pse kanë ardhur dokumente, vetëm kam treguar që ne na kanë ardhur këto dokumente, jo më tutje e prandaj dhe nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj. /Gazeta Enigma/.

Related Articles