Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot vazhdon seanca në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ku pritet të jepen deklaratat përmbyllëse, raporton Gazeta “Enigma”.
Në fjalën përmbyllëse të mërkurën, mbrojtja kërkoi që ish kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, të shpallet i pafajshëm.
Sipas avokatit të tij nuk ka prova të pranueshme që vërtetojnë akuzat me të cilat klienti i tij ngarkohet. Edhe avokati i Nasim Haradinajt, deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave të Haradinajt.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.