Në Dhomat e Specializuara në Hagë do të vazhdojë edhe sot gjykimi ndaj ish-pjeëstarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Kjo seancë gjyqësore do të nisë në orën 9:30.
Të hënën ka filluar dëshminë dëshmitar i i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Marek Gasior, në cilësinë e ekspertit mjekoligjor nga Polonia. Ky ka dëshmuar pa masa mbrojtëse derisa është intervistuar nga prokurorja Gaia Pergolo. Ai ka thënë se si ekspert i mjekësisë ligjore në Kosovë, nga viti 2000 deri në vitin 2008, ka punuar në kuadër të misionit të OKB-së, ndërsa më pas për katër vjet ka punuar me Bashkimin Evropian.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. / Gazeta Enigma.