Vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, pasi u prangos nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, ka ngritur debat në opinion rreth profesionalizimit të këtij institucioni, duke ngjallur dyshime për tejkalim të forcës nga vetë policët. Por jo vetëm në këtë rast, shkruan Gazeta Enigma.
27 vjeçari Agon Zejnullah vdiq në orët e para të së hënës, pasi në gjendje të dehur kishte filluar të shkaktonte kaos në Lipjan, duke ndalur makina dhe duke sulmuar qytetarë.
Sipas videove të publikuara, fillimisht tre zyrtarë policorë nuk intervenojnë, por vetëm e monitorojnë nga distanca lëvizjet e të ndjerit, i cili futet në një makinë. Më pas shihet një intervenim i tyre me forcë, ku edhe prangoset.
Pasi u dorëzua në stacionin policor, i njëjti u konstatua i vdekur.
Pesë zyrtarët policor pjesë të arrestimit të tij, janë suspenduar e më pas arrestuar, nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Dënimi për këtë vepër parashihet deri në pesë vjet burgim.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Pak ditë më parë në media qarkulloi një video ku një tjetër qytetar goditej nga disa policë, ndonëse ishte i pranogosur.
Kritika në trajnimin e Policëve të rinj
Ish-Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Valdet Hoxha, tha në një prononcim për Gazetën Enigma se mosprofesionalizmi i dukshëm i zyrtarëve policor, ka të bëj me faktin se periudha e trajnimit të tyre në Akademinë Trajnuese në Vushtrri, është shkurtuar nga 6 muaj, në 3 muaj, si dhe si dhe orët trajnuese sa i përket përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve janë zvogëluar.
“Duke marrë parasysh se periudha e trajnimit, nga 6 muaj është reduktuar në 3 muaj, po ashtu edhe orët trajnuese sa i përket përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve janë zvogëluar, parimisht është identifikuar problemi, prandaj duhet të adresohet saktë dhe unë besoj se krahas hetimit penal në rastin e fundit, Inspektorati Policor i Kosovës duhet të zhvillojë një inspektim të jashtëzakonshëm, për të inspektuar modulet e trajnimit, mënyrën e rekrutimit dhe procedurat të cilat e autorizojnë një zyrtar policor për të marrë autorizime policore, për vetëm një periudhë prej 3 muajsh. Pra problemi është kohëzgjatja e shkurtë e trajnimit, mungesa adekuate e moduleve të trajnimit, ndoshta edhe fuzionimi i tepërt i moduleve të trajnimit, që ndoshta e bëjnë edhe krejt të pakuptimtë trajnimin”, deklaroi Hoxha për “Enigmën”.
Hoxha tha se ky është një rast që nuk do duhej të ndodhte, pasi në bazë të pamjeve dhe në bazë të fillimit formal të hetimit nga Prokuroria e Shtetit, krijohet perceptimi se në këtë rast ka eventualisht tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policor.
“Por ne gjithmonë duhet të nisemi nga prezumimi i pafajësisë, derisa të ketë një vendim të formës së prerë. Ky parim duhet tërespektohet në këtë rast. Duhet të ketë një hetim gjithëpërfshirëstransparent, për ta vërtetuar gjithë gjendjen faktike”.
Tutje ish-Kryeshefi i IPK-së tha se pas shumë rasteve të ndodhura kohëve të fundit dhe rritjes së ankesave nga qytetarët ndaj zyrtarëve policorë muajve të fundit, ky rast duhet të jetë njëpikë kthese, nga ku shteti duhet ta trajtojë me seriozitet, që nga procedurat rekrutuese të zyrtarëve policorë, moduleve trajnuese në Akademinë Trajnuese në Vushtrri, kohëzgjatjen e trajnimit dhe me theks të veçantë përdorimin e forcës, si duarthatë, po ashtu edhe për përdorimin e armëve nga ana e zyrtarëve policorë.
Dështim në garantimin e jetës — të drejtës themelore që policia ka për detyrë ta mbrojë
Në anën tjetër eksperti i sigurisë nacionale, Bedri Elezi, tha për Gazetën Enigma se vdekja e një qytetari gjatë ose pas ndërhyrjes policore, nënkupton një dështim në garantimin e jetës – të drejtës themelore që policia ka për detyrë ta mbrojë.
“Fakti që rasti nuk u raportua publikisht deri në publikimin e videos tregon mungesë transparence dhe përpjekje për ta fshehur atë. Ky është jo vetëm abuzim me pushtetin, por edhe shkelje e rëndë e besimit qytetar dhe e ligjit”, deklaroi Elezi.
Eksperti i sigurisë tha se niveli i trajnimeve në Policinë e Kosovës ka mbetur kryesisht bazik dhe jo gjithmonë i harmonizuar me standardet ndërkombëtare, sidomos për menaxhimin e rasteve të ndjeshme si: ndërhyrjet fizike, arrestimet në publik, ndërveprimi me persona me shqetësime mendore apo me sjellje të paqëndrueshme.
“Trajnimet janë të pakta, shpesh formale dhe pa ndjekje praktike. Mungesa e trajnimeve të avancuara për përdorimin proporcional të forcës dhe për teknikat moderne të vetëkontrollit gjatë ndërhyrjeve është një prej problemeve që po sjell pasoja të rënda”, u shpreh Elezi.
“Imazhi i Policisë së Kosovës është goditur thellë”
“Kur dhuna vjen nga ata që duhet të garantojnë rend dhe siguri, qytetari nuk sheh më mbrojtësin, por rrezikun. Kjo krijon frikë, pasiguri dhe rrit ndjeshëm mosbesimin në institucione”, deklaroi Elezi.
Tutje eksperti i sigurisë renditi disa hapa urgjentë, të cilët duhet të merren në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten:
Hetim i pavarur dhe transparent për çdo rast abuzimi me forcën – jo vetëm nga IPK, por edhe nga monitorues të jashtëm;
Përgjegjësi komanduese – jo vetëm dënime për zyrtarët e nivelit të ulët, por edhe për zinxhirin komandues që nuk ka vepruar;
Reformim i thellë i sistemit të trajnimeve, duke përfshirë: teknika për ndërhyrje pa dhunë; menaxhim të krizave; trajnime psikologjike dhe komunikimi;
Rritje e mbikëqyrjes nga shoqëria civile dhe mediat për të garantuar transparencë të plotë;
Sanksionime të qarta ligjore për çdo zyrtar që nuk raporton apo mundohet të fshehë një rast dhune policore.
Sveçla: Fajtori do përballet me drejtësinë, do marrë dënimin e merituar
Pas bujës së madhe për këtë rast, reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla.
Ai tha se “askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”.
“Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, deklaroi ministri në detyrë.
“Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, shtoi tutje Sveçla.
Dhuna nga policia në terren e në stacione policore – jo diçka e re
Në vitet e fundit, opinioni shpesh është tronditur nga dhuna e panevojshe nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, si në terren, ashtu edhe brenda stacioneve policore.
Nga disa video që kanë rrjedhur, është parë ku zyrtarët policorë madje kanë incizuar dhunën që kolegët e tyre e bënin ndaj të arrestuarve, si formë argëtimi.
Me kamerat që mungojnë në qendrat e mbajtjeve, opinioni ka frikë se raste të tilla janë të shumta, përderisa nuk mund të dokumentohen. /GAZETA ENIGMA