“Vdiq para se të shpallet Pavarësia e Kosovës”, ish-deputetët e LDK-së flasin për Ibrahim Rugovën

“Vdiq para se të shpallet Pavarësia e Kosovës”, ish-deputetët e LDK-së flasin për Ibrahim Rugovën

“Arkitekti i Pavarësisë”, Ibrahim Rugova, punoi pa rreshtur në çështje kombëtare e sidomos në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Ibrahim Rugova si presidenti i parë i Republikës së Kosovës pas përfundimit të luftës të vitit 1999, qëllimi kryesor i tij ishte të shpallte Kosovën shtet të pavarur.

Fatkeqësisht, më 21 janar të vitit 2006, Rugova vdiq pas një sëmundje të rëndë dhe nuk arriti të ishte pjesë e shpalljes së pavarësisë, shkruan Gazeta Enigma.

Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt 2008, nga 109 deputet të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës për të nënshkruar deklaratën e pavarësisë ishin edhe Gani Geci e Drita Maliqi nga radhët e LDK-së.

Ish-deputeti, Gani Geci dhe Drita Maliqi rrëfejnë për Gazetën Enigma në pika të shkurta angazhimin e Rugovës për arritjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Përveç që me durim e maturi e mund, makinerinë propagandistike dhe ushtarake të Serbisë, ai ka punuar edhe në emancipimin politikë të popullit të Kosovës”, thotë Gani Geci.

“Presidenti Rugova dhe LDK që në vitin 1991 dërguan në ushtrime ushtarake në Shqipëri, Adem Jasharin me shokët e tij. Presidenti Rugova gjithashtu organizoi dhe mbajti më 26 shtator të vitit 1991 Referendumin për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur, përgatiti të gjitha elementet e një shteti të pavarur”, rrëfen ish-deputeti Geci.

Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci

Ai nënvizon se Rugova “ndërkombëtarizoj problemin e pa zgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në fund bashkë me forcat e NATO-së i shporren forcat e Serbisë nga Kosova”.

Rrëfim të ngjashëm për “Arkitektin e Pavarësisë” ka edhe ish-deputetja, Drita Maliqi, duke e ka vlerësuar Rugovën si idolli i shqiptarisë dhe personin më të çmuar të vendit.

“Unë së bashku me presidentin Rugova dhe shumë njerëz të tjerë e ndër ta edhe akademiku Nexhat Daci, punuam për vitet të tëra për themelimin e institucioneve të Kosovës”, thotë Maliqi.

“Dr. Ibrahim Rugova ishe udhëzuesi ynë më i çmuar i cili na udhëzonte që ne të veprojmë të punojmë për çështje kombëtare dhe jam shumë krenare që unë arrita ta nënshkruaj deklaratën e pavarësisë”, shprehet ajo.

Ish-deputetja e LDK-së, Drita Maliqi

Tutje, Geci dhe Maliqi tregojnë emocionet e 17 shkurtit të vitit 2008 në shpalljen e pavarësisë së Kosovës pa prezencën e presidentit Ibrahim Rugova.

“Ditën kur kam nënshkrua pavarësinë e Kosovës dhe nuk e kam parë presidentin Rugova në sallën e Kuvendit të Kosovës, atë ndjenjë asnjëherë nuk do ta harroj. Ai nuk ishte më në mesin tonë fizikisht, por vepra e tij kurrë nuk do të vdes”, thekson ish-deputetja Maliqi.

“Fatkeqësisht vdiq para se të shpallet Pavarësia e Kosovës”, shprehet Geci.

Sipas, tij presidenti Rugova është personaliteti më i afirmuar i politikës shqiptare prej kohës së Skënderbeut e këndej.

Kush ishte Ibrahim Rugova?

I lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike gjithë popullore në Kosovë, duke e transformuar këtë lëvizje në parti politike.

Me moton Liri, Pavarësi e Demokraci, presidenti Rugova ishte kryetari i LDK-së që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe lobi për mbështetje nga SHBA-të dhe Europa, veçanërisht gjatë Luftës në Kosovë.

Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Edhe pse vendi ende nuk kishte shpallur pavarësinë, Ibrahim Rugova, kishte propozuar himnin dhe flamurin për Kosovën.

Publikimi i flamurit dhe propozimi për flamur shtetëror të Kosovës është bërë në vitin 2001 nga vetë Rugova.

Reagimet ndaj propozimit kanë qenë të ndryshme, që nga adhuruesit e deri te kundërshtimi i hapur që u shpreh edhe me revolta.

Pas publikimit një pjesë e popullit të Kosovës ka filluar ta quajë “Flamuri i Dardanisë”.

Propozimi për flamur shtetëror të Kosovës nga Ibrahim Rugova

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Kujtojmë se Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Leximin e deklaratës së Pavarësisë e bëri kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Pas çlirimit të Kosovës, shpallja e Pavarësisë ishte ngjarja më e historike dhe më e madhja e shtetit tonë./Gazeta Enigma/

Related Articles