Ish kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili nuk është kandiduar për kryetar të së njëjtës komunë nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për Gazetën Enigma se këto vendime janë marrë pa pëlqimin e tij dhe se për të janë në kundërshtim me statutin.
“Është vendim ilegal për mua sepse ata nuk kanë të drejtë si kryesi të marrin vendime të tilla për degën, për kandidatin po por jo edhe për degën sepse kuvendi i degës është kompetent ta bëjnë kryetarin ose ta shkarkojnë atë”.
Sipas Veliut, të gjitha kompetencat e degës së LDK-së në Podujevë i kanë kaluar kandidatit të kësaj partie për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hysenit.
“Kanë marrë vendim në kryesi për kandidatët për disa komuna në mesin e tyre edhe Podujeva. Kanë marrë vendim për kandidatë, për kryetar të komunës edhe njëkohësisht ia kanë kaluar edhe kompetencat e degës të njëjtit me vendim të kryesisë”, është shprehur ai.
Kur pyetet se si e vlerëson punën e kandidatit të ri për kryetar të komunës së Podujevës, Veliu ka thënë se “i vonë është ai në LDK”, por sipas tij nuk qëndron problemi në konsistimin e kandidatit, por ndërhyrja në degë është ilegale për të ashtu siç edhe e quan vetë Veliu.
Ndërkaq, kryetari i Istogut Haki Rugova, ka thënë për Gazetën Enigma se “nëse do të jetë kandidatë edhe për një mandat për kryetar komune do të vendoset ditët në vijim.
“Nuk kemi vendos ende për Istogun, do të vendoset këto ditët e ardhshme. Është një temë tjetër që unë do ta diskutojë brenda kryesisë së partisë dhe brenda degës, të shohim”, tha Rugova.
Në listën e kandidatëve për kandidatë për kryetar të komunave nuk ishte as emri i kryetarit të Gjilanit dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit
Gazeta Enigma ka provuar të flasë me Hazirin për këtë çështje, por që ky i fundit nuk është lajmëruar në telefon.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK përfundoi si subjekti i tretë politik, e cila pësoi rënie të thellë elektorale deri në përgjysmim të votës duke marrë 12,73 për qind të votave.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në vjeshtë.
/Gazeta Enigma/