Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi në rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pritet të shpallet më 16 shtator.
I pyetur se cilat janë pritjet e tij nga procesi gjyqësor, Thaçi ka qenë i prerë.
“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtojë argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka thënë Thaçi në Debat Plus.
Thaçi është pyetur edhe nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.
Ai ka thënë se nuk është penduar, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.
“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, ka theksuar ish-presidenti.
Në intervistë, Thaçi është pyetur edhe për narrativën mbi të cilën Prokuroria e Specializuar ka ndërtuar pretendimet e saj.
Sipas tij, kjo narrativë nis shumë më herët se periudha e luftës së Kosovës.
“Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta (atë kohë isha 11-12 vjeç) të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serb dhe rus në Këshillin e Evropës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka folur edhe për mundësinë që procesi të ketë ndikim përtej rastit të tij.
“Inkriminim për ndërkombëtarët nuk do të ketë. Por a do të ketë ndikim në ecurinë e drejtësisë ndërkombëtare? Sigurisht që do të ketë, dhe atë jo pak”, ka potencuar Thaçi.
Duke iu referuar akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se kthimi i tij nga diaspora kishte ndikuar në rritjen dhe masivizimin e UÇK-së, Thaçi ka thënë se veprimet e tij ishin pjesë e një angazhimi më të gjerë të shqiptarëve nga diaspora.
“ZPS-ja më akuzon tani se kthimi im nga diaspora ndikoi në rritjen dhe masivizimin e UÇK-së. Bëra atë që shumë të rinj shqiptar nga diaspora bënë në javët dhe muajt e rezistencës. Unë nuk e solla rezistencën në valixhe nga perëndimi në Kosovë”, ka thënë ish-presidenti Thaçi në intervistën e tij dhënë për Debat Plus.
