“Vendimi i Qeverisë nuk ka bërë zgjidhje afatgjate për pensionistët dhe shtresat sociale”.
Kështu thotë për Gazetën Enigma, analisti për çështje të ekonomisë, Lavdim Hamidi, duke theksuar se Kurti zgjidhje ka bërë vetëm për një muaj.
Ai shton se pensionet do të duhej të rriteshin së paku deri në fund vit, duke u bazuar sipas tij në rritjen e lartë të çmimeve.
Ndër të tjera, Hamidi thotë ky vendim nuk i ka ndihmuar personat të cilët janë të papunësuar. Ai thotë se ky subvencionim nuk përfshinë të papunët.
Hamidi thotë se pensionistët dhe punëtorët që kanë paga më të ulëta subvencionohen njejtë me nga 100 euro, siç subvencionohen punëtorët me paga më të larta duke i përfshirë edhe zyrtarët e lartë të institucioneve shtetërore.
“Kjo është një tendendencë për zvarritjen e Ligjit për Paga, i cili do të duhej të miratohej në fund të muajit të kaluar”, tha ndër të tjera ai.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Arsimit në Kosovës, Rrahman Jashari tha se vendimi i Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për punëtorë të sektorit privat dhe publik nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre.
“Është hap i qëlluar, por ajo që mund të them është se ky vendim i Qeverisë Kurti nuk është plotësim i kërkesave të SBASHK-ut, ndonëse ne kemi kërkuar shtesë në paga për sektorin e arsimit”, tha Jasharaj për Gazetën Enigma.
Pasi nuk janë plotësuar kërkesat e tyre, Jasharaj thotë se do të mbetet në fuqi që pas 20 prillit të fillohet me veprime sindikale të cilat sipas tij do të përcaktohen në organet udhëheqëse të SBASHK-ut.
Sa i përket kësaj çështje, ka pasur reagime të shumta edhe nga skena politike, derisa Partia Demokratike e Kosoës e ka quajtur “populist dhe lëmoshë” vendimin e Qeverisë që të ndajë nga 100 euro për pensionistët, punëtorët e sektorëve publikë e privat, studentët dhe ata që janë në skemë sociale.
“Qeveria e Kosovës e konfirmoi se është e paaftë për të qeverisur vendin. Krejt çka po bën Kurti është populizmi, pasi që rriti çmimin e energjisë e që s’po mund t’i kontrollojë çmimet e produkteve, qeveria e nisi ditën me këtë vendim që është si lëmoshë. Qytetarët kanë nevojë për dorën e shtetit dhe çdo ndihmë është e mirëseardhur, por nuk mund ta bëjë me lëmoshë”, tha Bernard Nikaj, në konferencën për shtyp të mbajtur në selinë e PDK-së.
Tutje ai tha se Kurti nuk di të qeverisë dhe se PDK-ja e konsideron të nevojshme miratimin e Ligjit te Pagave dhe rritjen e pagave.
Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e 100 eurove për punëtorët e sektorit publik dhe privat.
Haradinaj tha se kjo shumë është shumë e vogël, duke shtuar se të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe i bëri thirrje Qeverisë që t’i rrisë pagat për të gjitha kategoritë.
“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fsheh dështimin e tij për rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”.
“Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe të përhershme dhe qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rris pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti kjo ndihmesë nuk e zgjidhë problemin e rritjes së çmimeve, madje ai thekson se kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.
Ai thotë se duhet të merren masa më afatgjate, masa të cilat Hoti i pati propozuar që kur filloi të shfaqet kriza ekonomike.
“Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë. Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike. Duhet të rriten subvencionet në bujqësi. Duhet të rritet paga minimale. Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale”, shkroi Hoti.
Edhe Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka adresuar kritikat kundrejtë Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e sektorit publik dhe privat.
Sipas Molliqajt, ndarja e shumës prej 100 euro, për një shitës në një qendër tregtare i cili paguhet 180-200 euro në muaj është e padrejtë përderisa ndahen nga 100 euro edhe për menaxherët që marrin 1000 ose 1200 euro.
“Një student i Universitetit Amerikan që arrin ta paguajë 6000 euro vitin nuk mund të trajtohet njëjtë me një student nga Universiteti i Prishtinës që mezi e paguan konviktin e menzen. I pari i harxhon këto 100 euro për një natë, tjetri e paguan konviktin për 1 muaj“, ka shkruar Molliqaj.
Ndryshe, nga ky vendim do të përfitojnë pensionistët, punëtorët e sektorit publik e privat dhe studentët, mirëpo nuk do të vlejë për nëpunësit që kanë paga mbi 1mijë euro. /Gazeta Enigma/.