Për ta kursyer rrymën në kohë krize, nuk bën të prodhohen kriptovalutat, derisa këtë vendim e ka marrë Ministria e Ekonomisë, për ta ulur shpenzimin e energjisë elektrike, pasi konsideron se makinat e prodhimit të monedhave digjitale janë shpenzues të mëdhenj.
Ministrja, Artane Rizvanolli njoftoi të martën se kjo veprimtari ndalohet në krejt territorin e vendit.
“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave”, thuhet në postimin e Rizvanollit, njofton Klan Kosova.
Nuk dihet nëse këto institucione do t’ia mësyjnë edhe veriut, që konsiderohet fole e prodhuesve të kriptovalutave, pasi në këtë zonë nuk paguhet as rryma.
Por sido që të jetë, vendimi po konsiderohet absurd nga njohësit e fushës. Granit Kadolli e arsyeton kundërshtinë e tij me shembuj interesantë.
Sipas tij, një apo dy riga shpenzojnë më pak se 50 për qind të rrymës që përdoret për ngrohje në banesa. Teksa thotë se aparati i kafesë harxhon më shumë energji sesa një makinë prodhimi e kriptovalutave.
Mesatarja e shpenzimit të rrymës me një kartelë grafike, brenda muajit mund të shkojë deri në 40 euro.