Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Skenderaj.
Madje, nesër nuk do të zhvillohet as procesi mësimor.
Kjo, pas situatës së krijuar nga vërshimet.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Fadil Nura.
“Para pak çastesh kam nxjerr vendim kam shpallë gjendje të jashtëzakonshme në territorin administrativ të komunës së Skenderajt. Gjithashtu në kuadër të kësaj kemi pezulluar nesër procesin mësimor, dhe jemi me ekipe në terren duke punuar”, ka thënë Nura.
Sipas tij, gjendja është shumë e rëndë dhe janë bllokuar pothuajse të gjitha rrugët.
“Aktualisht gjendja është shumë e rëndë, janë bllokuar pothuajse të gjitha akset kryesore të rrugëve, kanë dal përroskat dhe lumenjtë nga shtrati dhe është gjendje tepër e rënduar”, është shprehur ai, për Front Online.
Ndërsa, ka treguar se në një lagje te fshatit Llaushe është evakuuar edhe një familje.
“Po ka familje, në pjesë të caktuara, momentalisht gjendje më e rëndë është në Llaushë ku edhe me një lagje kemi evakuuar një familje”, ka thënë ai.
Ndryshe, gjendje e rënduar si pasojë e vërshimeve është paraqitur edhe në Mitrovicë.