Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, theksoi se do të marrin përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në Serbi lidhur me dërgimin e letrës ku është kërkuar transferim i katër të burgosurve shqiptar mbi dyshimin për krime lufte.
Ministrja potencoi se Serbia vazhdimisht refuzon të ketë bashkëpunim juridik me institucionet e Kosovës.
Në ngjarjen që Haxhiu kishte organizuar me donatorë për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale”, tha se për dërgimin e kësaj letre e kanë njoftuar edhe Brukselin përmes zëvendëskryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë.
“Ne kemi vlerësuar se është e rëndësishme që t’i drejtohemi ministres së Drejtësisë së Serbisë, me qëllim që ata qytetarë, katër qytetarët tanë të transferohen në Republikën e Kosovës dhe të ballafaqohen me sistemin tonë të drejtësisë, mbi pretendimet të cilat ata i konsiderojnë. Këtë letër e kam dërguar fundjavën kaluar, ne ende nuk kemi marrë përgjigje, nuk mund të them nëse do të kemi apo jo përgjigje. Por, duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik dhe duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon në Kosovë as kriminelët që kanë kryer krimet luftë në Kosovë në kohë të luftës, nuk i dorëzon as kriminelët apo terroristët që kanë kryer sulme terroriste, referuar sulmit terrorist në Banjskë, natyrisht që është goxha e vështirë të themi që mund të kemi përgjigje apo jo…Ne kemi njoftuar edhe dje në Bruksel përmes zëvendëskryeministrit dhe përfaqësuesve tanë atje për letrën që e kemi dërguar dhe në vazhdimësi. Por dhe dje kemi bërë thirrje që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj letre dhe kësaj kërkese”, tha Haxhiu.
Ndër të tjera, ministrja e Drejtësisë, konsideroi se burgosja e shqiptarëve atje me pretendimin për krime lufte është e qëllimshme, politike dhe e padrejtë./GazetaEnigma/