Nesër takimi Kurti – Vuçiq – Serbia s’i ndalë provokimet

Nesër takimi Kurti – Vuçiq – Serbia s’i ndalë provokimet

Ngacmimet nga ana e Serbisë drejtuar Kosovës, edhe në prag të takimit në Bruksel nuk po ndalen, e për sjellje të tilla shteti serb nuk ndëshkohet anjëherë nga ndërkombëtarët.

Së fundmi, Serbia ka arrestuar Drejtorin e Administratës në komunën e Leposaviqit, Nikolla Radomiroviq, shkruan Gazeta “Enigma”.

E lidhur me këtë veprim ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Rohde deklaroi se nuk është hera e parë në muajt e fundit që arrestimet në pikën kufitare ngrenë dyshime për ndërhyrje politike

“Duke ndjekur nga afër raportet shqetësuese për ndalimin e shefit të administratës së Leposaviqit në Serbi. Nuk është hera e parë në muajt e fundit që arrestimet në pikën kufitare ngre dyshime për ndërhyrje politike. Pritet që ankesa zyrtare të shqyrtohet shpejt”, ka thënë ambasadori gjerman.

Drejtori i administratës në komunën e Leposiaviqit, Nikolla Radomiroviq, është dënuar me dhjetë ditë burgim në Serbi për ‘posedim të armës së ftohtë’, këtë e ka konfirmuar Gjykatan për Kundërvajtje në Rashkë.

Ndërkohë, babai i të arrestuarit pretedon se bëhet fjalë për një ‘aktgjykim të motivuar politikisht’ dhe se i gjithë rasti është ‘montuar’ sepse ai dhe djali i tij kanë qenë të angazhuar politikisht në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Babai i Nikolla Radomiriqit beson se ndaj tyre ekziston një ‘ndjekje’, sepse babë e birë publikisht kanë shprehur ‘pikëpamjë të ndryshme nga Lista Serbe’, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.

Ndërkaq, përkundër që takimi Kurti – Vuçiq do të mbahet nesër më 14 shtator në Bruksel, Serbia provokon palën kosovare me sjellje të tilla.

A mund të kenë ndonjë prapavijë politike?

Babai i të arrestuarit Nikolla Radomiroviq, Radoica është emëruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fund të muajit maj në pozitën e zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Kurse, në fillim të korrikut, drejtor i administratës në Komunën e Leposaviqit është emëruar djali i zëvendësministrit Radoica Radomiroviq, Nikolla Radomiroviq.

E që sipas babait të Nikollës, arrestimi i tij ka prapavijë politike, gjegjësisht fakti që të dy ishin të përfshirë në institucionet e Kosovës.

Një arrestim i tillë ka ndodhur pikërisht në prag të takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas disa muajsh tensionesh dhe përshkallëzimi në Kosovë.

Ndërkohë, që i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, lidhur me takimin Kurti – Vuçiq, thotë se ‘ShBA-të vazhdojnë të mbështesin fuqishëmdialogun e lehtësuar nga BE si mënyrë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe frutdhënëse ndërmjet dy vende’.

Çfarë pret nga ky takim Escobar?

Marrëveshja për të cilën u pajtuan palët, ishte e një spektri të gjerë dhe shumë historike. Është me të vërtetë marrëveshje normalizimi me kushte evropiane, por është edhe një udhërrëfyes për mënyrën se si të dy vendet mund të harmonizojnë integrimin e tyre në strukturat evropiane. Marrëveshja ofron potencial të madh për përparimin e të dyja vendeve dhe për objektivat e tyre strategjike për integrimin evropian. Që kur është nënshkruar marrëveshja, kemi parë një sërë përshkallëzimesh dhe aktivitetesh të padobishme dhe veprime që kanë frenuar përparimin. Tani na duhet të tejkalojmë të gjitha sfidat që janë krijuar që nga muaji mars. Dhe kam besim se mundemi. Shpresojmë që nëpërmjet trajtimit të detyrimeve dhe kërkesave që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit, do të mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet, që nga zgjedhjet dhe deri tek targat e makinave dhe letërnjoftimet, dhe çështje të tjera që u shndërruan në burim përshkallëzimi. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhim një mori gjërash”, u shpreh Escobar.

Ndër të tjera,nga opozita për Gazetën Enigma, deputeti i LDK-së, Anton Çuni, theksoi se në takimet që do të ketë Kurti, duhet të jetë gjithmonë në koordinim me ndërkombëtarët.

“Para çdo takimi, në çdo takim e pas çdo takimi, uroj që kryeministri Kurti të jetë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, ngase kjo është mënyra e vetme që vendi ynë me të drejtë ta bëj realitet triumfin edhe në këtë proces”, u shpreh Çuni në një përgjigje për “Enigmën”.

Për takimin Kurti – Vuçiq, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sipas tij ky takim nuk do të jetë një xhiro bosh.

Rama ka thënë se Shqipëria, përkundër lidhjes “të ngushtë unike ndoshta në botë me Kosovën”, është plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Jo sepse aleatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht”, tha Rama.

Ai tha se  Shqipëria kurrë nuk nxit trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në rajon. Megjithatë, ai thotë se Shqipëria e shqiptarët janë me Kosovën në një skenar ku gjërat shkojnë keq mes Kosovës e Serbisë.

Fatkeqësisht po ashtu, disa harrojnë se nuk jemi më në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi”./GAZETAENIGMA/

Related Articles