Kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa partitë politike vazhdojnë konsultimet për të gjetur një marrëveshje.
Të shtunën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zhvilloi takime të ndara me liderët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur dakordim për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht, me konstituimin e Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor.
Ndërkohë, PDK-ja kërkon që deri më 6 tetor të miratohet në Kuvend edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen deri më 15 nëntor.
