Mbajtja dhe përdorimi i armëve pa autorizim është një dukuri mjaft e shpeshtë në vendin tonë, që jo rrallëherë ka përfunduar me vetëplagosje, plagosje por edhe tragjikisht. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Podujevë.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 25-vjeçar, i cili është dërguar në këtë qendër mëngjesin e djeshëm, pasi i njëjti ishte vetëplagosur me armë zjarri.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur teksa i riu ishte në veturë, kur papritmas ka shkrepur armën dhe është plagosur në këmbë.
Pasi i njëjti u dërgua në QKUK, ka marrë trajtim mjekësor dhe sipas informacioneve të para, gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Ndërkohë, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me incidentin, me ç’rast arma e përdorur nga i riu është sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.