Rrahje te terminali doganor në Fushë Kosovë: Ky është i dyshuari që e sulmoi 54-vjeçarin për shkak të mallit

Rrahje te terminali doganor në Fushë Kosovë: Ky është i dyshuari që e sulmoi 54-vjeçarin për shkak të mallit

Mosmarrëveshja për mallin ka shkaktuar një incident në Terminalin Doganor në Fushë Kosovë, ku për pasojë dy persona janë përfshirë në një konflikt që eskaloi në përleshje. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe i njëjti tashmë ndodhet në ndalim policor.

Siç merr vesh Sinjali, rasti ka ndodhur në oborrin e terminalit, ku i dyshuari e ka sulmuar fizikisht një 54-vjeçar pas një mosmarrëveshje mes tyre për shkak të një ngarkese të mallit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në prangat e Policisë si i dyshuar për këtë rast është Zarko Filipoviq.

Filipoviq po dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore viktimës, si pasojë e goditjeve – për çka i njëjti ka marrë trajtim mjekësor.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles