Vit i progresit apo regresit – Çka e karakterizoi Kosovën në vitin 2023

Vit i progresit apo regresit – Çka e karakterizoi Kosovën në vitin 2023

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit rreth orës 02:43 minuta vendi u trondit nga një sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasoj mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagos Alban Rashiti, zyrtar policor, shkruan Gazeta “Enigma”.

Policia e Kosovës kishte vërejtur dy kamion në fshatin Banjkë, ku edhe kishin bllokuar rrugën grupi terrorist serb të cilët kanë shtënë drejtë Policisë së vendit.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë, ku një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastirin e Banjskës së Zveçanit dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.

Dioqeza Rashkë-Prizren përmes një reagimi në rrjete sociale, kishte konfirmuar se persona të maskuar e të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa theksoi se po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.

Policia e Kosovës gjatë ditës doli me njoftim se 3 pjesëtarë të këtij grupi kriminal ishin vrarë, ndërsa një prej tyre ishte plagosur.

Më pas, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se 6 persona janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Ministri i Brendshëm, në mbrëmje tha se edhe pelegrinët e Manastirit po hetoheshin nëse në mesin e tyre ka persona të infiltruar të grupit terrorist.

Veç Policisë së Kosovës, i gatshëm për intervenim ishte shprehur edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Vetëm dy ditë pas sulmit, Ministri i  Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka publikuar pamje nga brenda Manastirit Banjskë, e ku shihet Milan Radoiciq.

Sveçla ka publikuar pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën ka thënë se shihet Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka thënë se Radojiçiqi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Pas fakteve të publikuara, Milan Radojiçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, duke pranuar edhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Policia e Kosovës konfiskoi alteleri armësh nga ky sulm.

Ndaj sulmit terrorist në veri, reaguan edhe krerët e shtetit, duke e quajtur sulm ndaj shtetit të Kosovës.

Rritet paga minimale në 264 euro

Me 60 vota për dhe një abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për pagën minimale.

Sipas këtij Ligji paga minimale do të bëhet 264 euro.

Kushtetuesja e rrëzon Ligjin e Pagave

Gjykata Kushtetues e Kosovës e ka pranuar ankesën e Avokatit të popullit, duke e rrëzuar kështu Ligjin e Pagave.

Sipas komunikatës së Kushtetueses, kjo gjykatë ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin e parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e Kushtetutës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, personave të cilëve iu zvogëlua paga me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat, do të vazhdojnë pafundësisht të marrin pagën që e kanë pasur para hyrjes në fuqi të Ligjit për paga.

“NO VISA” – Këshilli i BE-së i jep dritën jeshile Kosovës për udhëtimin pa viza

Këshilli i BE-së më 9 mars të këtij viti miratoi qëndrimin e tij në leximin e parë për lëvizjen pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në veprim ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para.

Pra Kosova nga 1 janari i vitit 2024 udhëton drejt shteteve të BE-së pa viza.

Vettingu po vjen në Kosovë

Gjykata Kushtetuese i dha dritën e gjelbër shumicës amendamenteve të procesit të vettingut, sfidë po konsiderohet votimi i tyre në Kuvend, meqë ato kërkojnë votën e dy të tretës së deputetëve.

Vendimi i Kushtetueses po konsiderohet që ka hapur rrugën e fillimit të një prej proceseve më të mëdha në fushën e drejtësisë.

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri në pikë të rënd

Përfaqësues të opozitës thonë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në pikën më të ulët në historinë e dy shteteve.

Kryemninstri Kurti nuk udhëtoi në Tiranë në takimin përgatitor të Procesit të Berlinit, të ftuar nga kryeministri Rama.

Kurti nuk e takoi kryeministrin Rama as kur ishte në Prishtinë, pasi ky i fundit anuloi në qershor një takim të dy qeverive me arsyen e përplasjes së Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Rama ndërkaq i ofrtoi dy nisma Kosovës, një draft statut të Asociacionit dhe një tjetër propozim pë rnj ëkonferencë ndërkombëtare të mbyllur, të dy nisma këto të kundërshtuara nga Kurti.

Vrasja e grave – Viti 2023 kryefjala e femicidit

30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Familja Murseli, sipas deklaratës së kryefamiljarit Naimi Murseli, dyshohet se u përball fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe pas të shtënave me armë zjarri, lanë të vdekur 30-vjeçaren.

Ditën e varrimit të  u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së, ku më pas u arrestua edhe personi i katërt i përfshirë në vrasjen e Liridonës, Tomë Dodaj nga Gjakova.

E pas arrestimit të djalit të tyre, familja Murseli ka anuluar të pamën për Liridonën.

Të shtunën e 9 dhjetorit dy fëmijët e Liridona dhe Naim Murselit kanë udhëtuar drejt Suedisë, ku edhe merren në përkujdesje nga shteti.

Vrasja e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dënohet me burg të përjetshëm

Më 4 gusht të këtij viti Gjykata ka marrë vendim për vrasjen e Marigona Osmanit nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Dardan Krivaqa është dënuar me burg të përjetshëm për vrasje.

Ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje”.

Kujtojmë se Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021.

Vrasja e Donjeta Pajazitajt, lirohet i akuzuari për vrasjen e saj

Kolegji penal i Gjykatës Supreme ka marrë vendim që ta lirojë nga akuza për vrasje Naser Pajazitajn, i cili ishte dënuar me 35 vjet burgim për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

“Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, ka thënë Uka-Lutfiu.

Ndryshe, më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm N.P, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës.

Naser Pajazitaj, ka kërkuar 1 milion e 150 mijë euro dëmshpërblim nga shteti, për dëmin që pretendon se iu shkaktua gjatë kohës kur përballej me këto akuza.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që ta dëmshpërblejë Naser Pajazitajn me 61 mijë e 777 euro e 16 centë. Mirëpo, Pajazitaj e ka refuzuar këtë shumë duke këmbëngulur në shumën e kërkuar.

Kujtojmë se Donjeta Pajazitaj u vra më 20 dhjetor të vitit 2015.

Në Bjeshkët e Strellcit të komunës së Deçanit dyshohet se qëndroi për rreth 6 javë trupi i Donjeta Pajazitajt, gjatë vitit 2015.

Pas 6 javësh, trupi i 24 vjeçares së vrarë ishte gjetur.

Prova kryesore e vrasjes dërgohet për ekzaminim në ShBA.

“Kjo provë është dërguar më herët në shtetin e Turqisë, mirëpo nuk kemi pranuar rezultate të detajuara, me ç’rast është dashur të dërgohet në SHBA. Ne jemi optimistë se do të ketë të gjetura”, tha Nikçi.

Gjykata Speciale, kush u lirua me kusht, e kujt iu vazhdua masa e paraburgimit

Apeli i Speciales dënon Salih Mustafën me 22 vjet burgim

Gjykata e Apelit të Speciales ka shpallur aktvendim ndaj Salih Mustafës, duke e dënuar me dënim unik prej 22 vjet burgim për krime lufte.

Aktgjykimi u shpall të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, nga kryetarja e trupit gjykues Michele Picard.

Specialja liron Hysni Gucatin

Në njoftim thuhet se Gucati është liruar me disa kushte që do të mbeten në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit.

“Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij më 18 tetor 2023 ose rreth kësaj date, me kushtet e përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj”.

“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe mbajti seancë me z. Gucati”, thuhet në njoftim.

Gjykata Speciale në Hagë liron nga burgu ish-pjesëtarin e UÇK-së, Nasim Haradinaj

Vendimi për lirimin nga burgu të ish-pjesëtarit të UÇK është marrë me datë 12 dhjetor nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ndërsa është publikuar më 14 dhjetor.

Arrestohet Haxhi Shala, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në një njoftim të Prokurorisë së Specializuar thuhet se zoti Shala u arrestua “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në njoftim.

Refuzohet kërkesa për lejimin e telefonatave për Thaçin, Veselin dhe Selimin

Gjatë muajit nëntor, përmes një kërkese Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua kishte ndaluar ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi vizitat dhe të gjitha komunikimet e tjera, përveç me ekipin.

Kjo kërkesë nga ZPS-ja është bërë nën pretendimet se ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

Dialogu Kosovë-Serbi ende askund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan dhjetëra takimi të nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Edhe viti 2023 nuk sjelli diçka konkrete nga këto takime.

Nga 1 janari lejohen veturat me targa RKS në territorin e Serbisë

Qeveria e Serbisë ka vendosur të hënën që të lejojë që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj.

Vendimin e ka shpalosur drejtori për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq duke thënë se po e implementojnë një marrëveshje të nënshkruar nga Borko Stefanoviq, tani opozitar serb.

Ndëra kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pasi Policia e Kosovës do të vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin për pranimin e targave të Republikës së Kosovës, ekzekutivit kosovar do të marrë vendimin “e barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore”.

Kujtojmë se BE-ja ka mirëpritur vendimin e Serbisë për targat RKS, pret nga Kosova hap të njëjtë.

PISA e vendosë Kosovën “në fund të pusit”

Më 5 dhjetor janë publikuar rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022 ku Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa për shkencë është renditur në vendin e 77-të nga 80 sa ishin gjithsej shkruan Gazeta “Enigma”.

Këto rezultate ishin të pritshme sipas ministres Nagavci, e cila tutje ka theksuar se e gjithë kjo ndodhur duke pasur parasysh problemet që janë shfaqur me mësimin gjatë pandemisë .

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se ka rënie të pikëve në fusha të ndryshme nga 12 deri në 6 pikë në krahasim me testin e vitit 2018, kur PISA u mbajt për herë të fundit.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

Në lidhje me këtë çështje pati reagime të shumta.

Protesta të vazhdueshme të minatorëve të Trepçës dhe të Policisë së Kosovës

Si vitet e kaluara edhe këtë vit minatorëve të Trepçës iu desh shumë herë që mbanin protesta dhe të hynin në grevë urie për shkak të mos ekzekutimit të pagave të tyre, shkruan Gazeta “Enigma”.

Shumë prej tyre patën edhe përkeqësim të shëndetit nga grevat e organizuara gati se në çdo muaj.

Përveç minatorëve të Trepçës këtë vit organizuan protesta edhe FIT dhe Policia e Kosovës.

Miratohet projektligji për Shtetësinë, lehtësohen mënyrat për t’u bërë “kosovar”

Sipas Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky projektligj sjell efikasitet më të madh në  marrjen e nënshtetësisë kosovare.

Gjithashtu, për shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, që jetojnë në Kosovë do të jetë më e lehtë marrja e nënshtetësisë. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles