Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka bërë të ditur se kur do të japë dorëheqje nga pozita e ministrit për t’iu futur garës për të parin e Prishtinës, pavarësisht se kanë mbetur vetëm tri javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve komunale.
Vitia në një konferencë për media ku shpalosi masat e reja të Qeverisë kundër COVID-19, ka thënë se ai do të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore atëherë kur nuk do të jetë më ministër i Shëndetësisë.
“Unë do të jem në fushatë zgjedhore atëherë kur nuk do të jem më ministër i Shëndetsisë, dhe për atë moment do t’ju tregoj me kohë”, ka thënë Vitia.
Zgjedhjet komunale zhvillohen më 17 tetor ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje e ka zyrtarizuar Vitinë si kandidat për kryetar të Prishtinës.