Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka thënë se po të bëheshin në të kaluarën lëshime sa i përket marrëveshjes së Asociacionit, Kosova do të përfitonte vizat.
Ai thotë se vizat po hiqen për shkak të lëshimeve që po i bën Kryeministri Kurti për Asociacionin.
Abdullahu tha se vizat BE-ja për Kosovën i ka kthyer në ‘xhoker politik’.
Postimi i plotë:
“Vizat do t’i marrim sepse KURTI ka lëshu pe për ASOCIACIONIN.
Vizat për kohë të gjatë kanë qenë tundim politik për Kosovën. Mungesa e tyre është diskriminim socio-politik (deri në racizëm) që ka bërë Brukseli kundër qytetarëve të Kosovës. Tash disa vite Kosova i ka përmbushur kushtet e BE-së për vizat. Përkundër kësaj vizat nuk na janë dhënë. Arsyeja kryesore ka qenë se BE në ofertën e saj politike ‘shkopi dhe karota’ vizat i ka trajtuar karotë speciale. Vizat BE për Kosovën i ka kthyer në ‘xhoker politik’ – të përshtatshme për gjithkënd, për çdo gjë. Po të bëheshin dje lëshimet që sot po i bën Kurti për Asociacionin ne do t’i kishim vizat. Por ato lëshime dje nuk janë bë. Edhe kur janë bë Gjykata Kushtetuese i ka përmirësu. Ndërsa Kurti po i bën lëshimet sot prandaj do t’i marrim vizat.”