Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se java e parë e këtij viti, ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
Ai ka përmendur heqjen e regjimit të vizave, largimin e targave ilegale të Serbisë nga Kosova e njohjen e atyre RKS nga Serbia, si dhe vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës.
Për këto Kurti ka thënë se janë rezultat i një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve të Kosovës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjitha kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit, partnerët ndërkombëtar, por në veçanti qytetarët “që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë”.