Vizita e Grenellit në Kosovë ngre dilema në SHBA

Vizita e Grenellit në Kosovë ngre dilema në SHBA
Vizita e Richard Grenellit në Kosovë ka ngritur dilemën në Shtetet e Bashkuara nëse ai e ka shkelur Aktin Logan.
Akti ndalon diplomacinë e paautorizuar në emër të SHBA-së, ndërkaq ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha ta ketë dërguar Grenellin në Kosovë e Serbi për t’u angazhuar në bisedimet e paqes. Ambasada Amerikane e cilësoi vizitë private këtë e Daniel Serweri i tha Kohës se në këtë rast nuk ka ndonjë shkelje, pasi Akti Logan nuk ua ndalon amerikanëve të gënjejnë, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Një vizitë bërë rajonit, përfshirë Kosovën, e ka krijuar dilemën në Shtetet e Bashkuara nëse ish-drejtori në detyrë i Inteligjencës Kombëtare, Richard Grenell, e ka shkelur Aktin Logan.



Një ditë më parë ish-presidenti Donald Trump tha se e dërgoi Grenellin në Kosovë e Serbi për t’u takuar me liderët dhe për t’u angazhuar në bisedimet e paqes.

E Akti Logan i vitit 1799 ndalon diplomacinë e paautorizuar në emër të Shteteve të Bashkuara.

Në Ambasadën Amerikanë në Prishtinë nuk dhanë një koment mbi shkeljen ose jo të këtij akti.

“Ambasada nuk jep komente për qytetarët privatë”, thuhet në përgjigje.

Një koment për këtë nuk dhanë as në Shtëpinë e Bardhë.

E, Daniel Serwer, njohës amerikan i Ballkanit, i tha KOHËS se asnjë shtetas i SHBA-së nuk është ndjekur deri tash për shkelje të këtij akti.

“Deklarata është e qartë. Trumpi e dërgoi Grenellin si përfaqësues të tijin personal. Akti Logan ndalon negociatat e personave të paautorizuar privatë me qeveritë e huaja. Një qeveri e huaj do të ishte e marrë të negocionte për ndonjë gjë, pos çështjeve private me Grenellin, në pozitën e tij aktuale. Sido që të jetë, shkelja e Aktit Logan nuk është ndjekur penalisht me sukses për më shumë se 200 vjet”, ka deklaruar Serwer.

Pas disa takimeve që Grenelli i realizoi në rajon, ai mbajti një konferencë të improvizuar për shtyp në pikën kufitare të Merdarit midis Kosovës dhe Serbisë. Aty deklaroi se erdhi në rajon si “qytetar privat” pasi tha se ishte “i frustruar” me mënyrën se si po e trajtonte administrata Biden Marrëveshjen e normalizimit ekonomik Kosovë-Serbi.

E Daniel Serweri tha se në këtë rast nuk kishte shkelje të Aktit Logan, pasi amerikanëve u lejohet edhe të gënjejnë.

“Jo. Personat privatë, përfshirë ata që përfaqësojnë ish-presidentët, kanë të drejtë të udhëtojnë ku të duan dhe të flasin çfarë të duan. Grenelli gënjen shumë, posaçërisht rreth një marrëveshjeje të supozuar që e negocioi që është larg historikes, por një gjë e tillë nuk është kundër ligjit”, ka thënë ai.

Por, pati liderë shtetesh të rajonit, sikur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, që i dha karakter përtej privat takimit me Grenellin. Ai tha të ketë biseduar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimin në mes të Shqipërisë dhe SHBA-së./Gazeta “Enigma”/ https://video.gjirafa.com/vizita-e-grenellit-ne-kosove-ngre-dilema-ne-shba

Related Articles