Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e një javë po qëndron në Greqi, në vizitë zyrtare, raporton GazetaEnigma.
Kurti është ftuar nga organizatorët e “The Economist” dhe “Simpoziumit Symi”, ku ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit.
Organizata këto ku janë të pranishëm politikanë, progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota.
Kjo vizitë e tejzgjatur është komentuar mjaft shumë nga politikanët kosovarë e analistët politikë, të cilët e kanë kritikuar shefin e Qeverisë.
Lidhur me këtë çështje GazetaEnigma, ka kontaktuar me deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili e komentoi vizitën e Kurtit në Greqi.
Sipas tij një veprim i tillë nga i pari i shtetit po lë nam, pasi Kurti nuk është ministër i Jashtëm, që mbulon një dikastër, Lekaj theksoi se shteti ka qindra punë që duhet zgjidhur dhe se një veprim si ky tregon se Kosova nuk ka Zot shtëpije.
“Qëndrimi I Kryeministrit Kurti që 8 ditë në Greqi po lë namë .E them kështu sepse e para nuk është Ministër i Jashtëm që mbulonë një dikaster por është i pari i shtetit të Kosovës dhe i cili shtet ka qindra punë që dojnë zgjidhje, e dyta nuk qëndron Kryeministri i një shteti në një ngjarje të thjeshtë e që shpenzime ditore minimale janë 500euro, e treta kjo retorikë e vazhdueshme për të qëndruar me javë të tëra jashtë vendit tregon që Kosova nuk ka Zot shpije dhe që pushteti është bë cirk e paraja publike po abuzohet”, u shpreh Lekaj për Enigmën.
Ai gjithashtu kërkoi që Kurti të kthehet sa më shpejt në Kosovë, sepse qytetarët kanë probleme që kërkojnë zgjidhje.
“E lusim Kryeministrin të kthehet në Kosovë, sepse qytetarët kanë probleme e sfida që kërkojnë zgjidhje”, përfundoi Lekaj.
Ndërkohë politologu Fidan Ukaj, për Gazetën Enigma, theksoi se Kurti sa ishte në opozitë ka kritikuar vizitat e gjata jashtë shtetit për shkak të shpezimeve dhe tani po vepron njejtë.
“Vizita ne Greqi e zotit Kurti edhe pse e nevojshme per ta vizituar për shkak se është një prej vendeve mos njohës të Republikës së Kosovës dhe vlersohet se mund të jetë një prej shteteve që mund ta njoh pavarësinë e Kosovës në të ardhmen e afërt”, tha Ukaj.
“Qëndrimi kaq i gjatë i zotit Kurti në Greqi, një personi që sa ishte në opozitë i ka kritiku vizitat e gjata jashtë shteti për shkak të shpenzimeve dhe tashmë i njejti person po e vazhdon të njejtin avaz kur Kosova gjindet në një fazë kritike të rritjes së çmimeve dhe qeveria dhe kryeministri në vend se të qëndrojnë brenda dhe të hartojn strategji e politika që e lehtësojn jetën e qytetarit”, u shpreh Ukaj.
Ukaj tha se nga kjo vizitë e gjatë e Kurtit në Greqi, të paktën të na sjellte lajmin e shumë pritur me një njohje të Pavarësisë së Kosovës nga Greqia, por që është skepktik në këtë aspekt.
“Kryeministri i vendit qëndron jashtë vendit me javë të tëra pa asnjë rezultat. Mendojë se qendrimi kaq i gjatë i zotit Kurti në Greqi, mund të them se është ekskurzion i radhës pas atij qëndrimit të stërgjatur në Amerikë. Urojë që qëndrimi kaq i gjatë i zotit Kurti në Greqi, të paktën të sjellë lajmin e shumë pritur nga Kurti se “Greqia e njeh Pavarësinë e Kosovës, edhe pse jam skeptik për gjë të tillë”, përfundoi Ukaj.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë, diskutoi për “qëndrimet e Kurtit jashtë shtetit”.
Çitaku ka thënë se në krizën më të madhe ekonomike të Kosovës, kryeministri Albin Kurti i ka kaluar 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit, pa arritur asnjë rezultat.
“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.
Ajo theksoi se me këto vizita që po i bënë kryeministri Kurti, qytetarët janë braktisur nga qeveria dhe si zgjidhje po e shohin ikjen nga Kosova.
“Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës. Në këtë periudhë kohore, qytetarët e braktisur nga qeveria, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 përqind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova. Qytetarët e Kosovës e kanë votuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen më 14 shkurt duke besuar në premtimet e tyre. Por, ajo çka po shohin është se inflacion më të madh se çmimet, kanë pësuar vet premtimet e Kryeministrit”, shtoi nënkryetarja e PDK-së.
Ndër të tjera vizitën e Kurtit, në Greqi, e komentoi edhe zyrtari i NISMA-s, Zafir Berisha, ku tha se këto veprime të Kurtit nuk do t’i lënin përshtypje askujt nëse përkrahësit e VV-së të mos kritikonin në të kaluarën për të njëjtat.
Berisha ka thënë se “as bijat nuk rrinë më shumë se dy tri ditë”.
“Bijat jo se jo, nuk rrijnë ma shumë se dy a tri ditë, si thotë Aida Dërguti, por as nipat te dajët me një vakët, nuk kanë qëndru, sa Albini në Greqi. Kur gjeni mufte…” kishin me thën gjakovarët, pse mos me u “knaq” në plazhet e Greqisë?Përfaqësues i vendit me zhvillim më të madhë ekonomikë, kuptohet sipas atyre që ju është bërë lavazh trurit.Këto veprime nuk do ti lenin përshtypje askuj, sikurse Albini me sektin e tij dhe hijenat e rrijeteve sociale, mos të hanin shumë … kundër të tjerëve që kanë bërë veprime të njejta”, ka deklaruar Berisha.
Ndërkohë që zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka treguar se kryeministri Kurti, është ftuar në vizitë zyrtare në Greqi, nga organizatorët e “The Economist” dhe “Simpoziumit Symi”, tash e pesë vjetë me radh, Kurti ka qenë çdo her pjesëmarrës.
Kryeziu theksoi se shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori, pasi kryeministri u kritikua mjaft shumë në këtë aspekt nga shumë politikanë e analistë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi nga data 5 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit”.
“Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota. Sikur herave të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka thënë Kryeziu. / GazetaEnigma.