Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicën e Veriut.
Rasti ka ndodhur të orët e hershme të së shtunës.
“Sipas deklarimeve të ankuesit, dy persona të dyshuar kishin hyrë me forcë në lokalin e tij dhe nga aty kishin vjedhur një shumë të parave”, thuhej në njoftim.
Njëri nga të dyshuarit ishte ndaluar nga punëtorët e një kompanie të sigurimit fizik, ndërsa personi tjetër ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një pune hetimore-operative, policia ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë edhe të dyshuarin e dytë. Të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Të arrestuarit janë: K.C. 28 vjeç dhe Z.M. 42 vjeç.
Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një shumë e parave që dyshohet se ka lidhje me rastin.
Nga hetimet e deritanishme, ekzistojnë dyshime se të njëjtit mund të jenë të përfshirë edhe në dy raste të tjera të vjedhjeve të raportuara ditëve të fundit, ndërsa njëri nga të dyshuarit e ka pranuar përfshirjen në këto raste gjatë fazës së intervistimit.
Të gjitha veprimet e ndermarrura i jane paraqitur Prokurorit te Shtetit, i cili me aktvendim ka urdhëruar ndalimin e të dy personave për 48 orë, ndërsa është inicuar rasti “Vjedhje e rëndë”.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.
