Vjosa Osmanit do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti” nga arbëreshët e Italisë

Vjosa Osmanit do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti” nga arbëreshët e Italisë
Me ftesë të komunitetit arbëresh, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë.

Asaj, do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”, në një ceremoni të veçantë e cila organizohet në komunën e Frasnitës.

“Gjatë qëndrimit në Kalabri, Presidentja Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit”, njofton Zyra e Presidentes.

E para e shtetit të Kosovës do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

“Në të gjitha këto takime, Presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani”, thuhet në njoftim.

Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në aktivitete të shumta të cilat e kanë në fokus traditën, ritet e kulturën arbëreshe

Related Articles