Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, raporton Pavlović Today.
“Ne e prekëm shkurtimisht këtë temë,” tha von der Leyen pas një takimi me presidentin amerikan në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
E pyetur për takimin e nivelit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe do të kryesohet nga Josep Borell, Von der Leyen theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut, pavarësisht problemeve që po zgjasin.
“Është shumë e rëndësishme që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë. Nuk është e lehtë. Ka ende shumë çështje që duhet të zgjidhen, por palët po ecin në drejtimin e duhur”, theksoi ajo.
Propozimi, thotë ajo, tashmë është në tavolinë dhe ka një udhërrëfyes se si të arrihet atje.
“Presim që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive”, nënvizoi ajo për takimin e ardhshëm në Ohër.