Sot në Ferizaj do të mbahet një protestë pas vrasjes së 18 vjeçares, M.O, ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës një ditë më parë kërkoi dënim maksimal të fajtorëve.
Protesta organizohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore para stacionit Policor në Ferizaj në ora 12:00.
Në protestë do të marr pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Unë do t’i bashkohem protestës ‘Drejtësi për gratë e vrara’, e cila do të mbahet pranë stacionit policor në Ferizaj!
Angazhimi shoqëror dhe institucional është i domosdoshëm për ndryshimin e mentalitetit patriarkal dhe për veprime serioze kundër dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore!”, shkruan Haxhiu.
Ajo ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.
“Pos këtij rasti që përfundoi me vrasje shohim një tjetër skandal në sistemin gjyqësorë pasi shohim se i dyshuari kryesor kishte aktakuzë të ngritur që nga viti 2013. Pra shtrohet pyetja se si ka mundësi që një person i tillë të jetë i lirë apo pse deri më tani nuk ka pasur një shqyrtim gjyqësor. Për këtë rast duhet të na flasë Këshilli Gjyqësor dhe shpresoj se nuk do të konsiderojnë këtë deklaratë timen si ndërhyrje në drejtësi”, ka thënë Haxhiu, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, të dielën, më 22 gusht dy persona e kanë dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt një 18 vjeçare dhe më pas kanë ikur.
Prokuroria në Ferizaj, ka bërë të ditur se Policia ka arritur t`i marrë nga pamjet e kamerave të sigurisë, fotografitë e dy të dyshuarve që e dërguan pa shenja jete në emergjencë një 18 vjeçare.
Pas kësaj është arrestuar njëri nga dy personat që dyshohen se kanë dërguar në spitalin e Ferizajt vajzën 18 vjeçare pa shenja jete, ndërkaq i dyshuari kryesor është ende në arrati.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe vendndodhjen e personit Dardan Emrush Krivaqa, i cili dyshohet për “Vrasje të rëndë” në Ferizaj.
“I njëjti, i dyshuari deri më tani nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Personi i kërkuar është Dardan (Emrush) Krivaqa, lindur më 25.08.1992, adresa rr ‘Ramadan Rexhepi’, Ferizaj”, thuhet në komunikatë.
Sipas raportimeve Dardan Krivaqa që dy muaj ishe martuar me tani të ndjerën, 18 vjeçare.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal të fajtorëve për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj.
“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve”.
Pas vrasjes së 18 vjeçares ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile.