Një vrasje ka ndodhur dje në Pakashticë të Podujevës, derisa një 34 vjeçar e ka privuar nga jeta një 30 vjeçar. Mediat raportojnë se këta të dy janë familjarë mes vete.
Ndërsa, në lidhje me ngjarjen, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë për Gazetën “Enigma” se i dyshuari i arrestuar po ashtu është ndaluar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores viktima është dërguar për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë çështje”, deklaroi Ulaj.
Ndryshe, katër persona ishin të pranishëm në momentin që ndodhi vrasja gjatë të mërkurës në një zonë të thellë malore në Pakashticë të Podujevës.
Nga plaga me armë zjarri, M.K 30-vjeçar nga fshati Dumnicë i Podujevës ka mbetur i vdekur nga plaga e marrë nga pushka e gjuetisë. /Gazeta Enigma/.