Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Astrit Isufi, për shkak të dyshimeve se ka kryer një vrasje të dyfishtë në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës.
Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 6 nëntor rreth orës 11:25, kur Isufi, i dhëndri i familjes së viktimave D.M. dhe N.M., ka shkuar në shtëpinë e tyre për t’i marrë bashkëshorten dhe fëmijët, që ndodheshin atje gjatë ceremonisë së varrimit të babait të saj. Gjatë largimit ka shpërthyer një përleshje me dhunë, dhe Isufi ka shtënë disa herë me pistoletë në drejtim të viktimave, të cilët kanë vdekur nga plagët e marra.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc – Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete/”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa u arrestua mëngjesin e sotëm.
Veprimet e tij përbëjnë vepra penale: vrasja e rëndë sipas nenit 173 par.1 të KPRK-së dhe mbajtja e armëve pa autorizim sipas nenit 366 par.1 të KPRK-së.
