Vrasja e Liridona Ademajt: Gjykata merr vendim për Tomë Dodajn që e kishte shitur armën

Vrasja e Liridona Ademajt: Gjykata merr vendim për Tomë Dodajn që e kishte shitur armën

Tom Dodaj i arrestuar për shitjen e armës tek Granit Palva, dorasi i vrasjes së Liridona Ademajt do të mbrohet në liri. Kjo në bazë të një vendimi të Gjykatës Supreme. 

Është liruar Tom Dodaj, shitësi i armës tek dorasi i vrasjes së Liridona Ademajt, me një vendim të Gjykatës Supreme. Zëdhënësja e gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka konfirmuar për Express se Dodaj tash do të mbrohet në liri.

“Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit T.D, të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës me datë 17.04.2024 ka marr vendim dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu që të pandehurit T.D i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri”, ka thënë ajo për Express

Në ndërkohë, u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj Naim Mureslit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës.

”Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K,  Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 23.04.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. e cila masë iu është llogaritur nga data 28.04.2024 deri me 27.06.2024″, tha Gashi për Express.

Më 29 nëntor 2023 ndodhi një vrasje e rëndë në Bërnicë të Prishtinës, e ku Naim Murseli, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

Sipas prokurorisë, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.

Në një njoftim të mëhershëm, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

E Tom Dodaj sipas gjykatës, armën ua kishte shitur Naim Murselit dhe Granit Plavës, ditën që ndodhi vrasja.

Related Articles